20 Pri

Historia e një biznesi jo-formal në Stravec, Dibër: Komposto, reçelëra, shurupra etj.

Spread the love

Emrie Lata  është një nga gratë e trajnuara nga Instituti per Zhvillim dhe Iniciativa Qytetare në kuadër të Projektit “Fuqizimi i rolit të gruas në zonën e Dibrës & promovimi i produkteve vendase” me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë U.S. Embassy-Tirana.

Janë një grup prej rreth 10 grash në Staravec të Dibrës që prej vitesh punojnë së bashku. Zona është e njohur për cilësinë e produkteve agro-bujqësore, por veçanërisht të pemëve frutore. Gratë, secila në shtëpinë e vet, prodhojnë komposto, shurupëra dhe reçelëra të llojeve të ndryshme, që nga kumbulla e ftoi, e deri tek boronica; prodhojnë turshi domatesh dhe lakre. Edhe pse punojnë secila në shtëpinë e saj, ato bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për prodhimin e produkteve me cilësi. Gratë konsultohen me njëra-tjetrën për mënyrën e prodhimit, paketimit dhe gjetjes së tregut të shitjes, madje edhe për çmimin e çdo produkti. Shumicën e produkteve i shesin tek të afrëmit e tyre që janë larguar jashtë vendit, ose në Tiranë dhe Durrës. Shesin edhe tek llixhat, por tregëtia aty është sezonale, vetëm në atë periudhë të vitit kur dyndën klientët me probleme shëndetësore nga i gjithë vendi.

“Shesim edhe fruta, tregon Emrie Lata, por është shumë e vështirë të gjesh treg. Sivjet nuk arritëm ta shisnim prodhimin.”

Emrija tregon se në shtëpinë e saj janë vetë i pestë dhe vetëm njëri është i punësuar, të tjerët janë të angazhuar në punët e buqësisë. Me prodhimet që shesin e kanë të vështirë të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme që u mbulojnë nevojat dhe shpenzimet e vitit.

Familja e Emrijes ka edhe një mulli që punon vetëm pak ditë në muaj. “Mulliri pothuaj nuk punon. Tek-tuk vjen ndonjëri që sjell të bluaj një dorë miell, por të gjitha shpenzimet ia ha rruga dhe nuk ke çfare t’i kërkosh për bluarjen.”

Emrija, ashtu si shoqet e saj në Staravec përballen me vështirësi sociale dhe ekonomike, ajo nuk i ka humbur shpresat. “Do vazhdojmë të prodhojmë dhe të shesim. Kemi klientë që i preferojnë dhe kërkojnë produktet tona, sepse janë cilësore dhe 100% bio. Por, ne kemi nevojë për treg më të madh dhe të sigurt. Me përfundimin e Rrugës së Arbrit shpresojmë që do të arrijmë të lidhemi edhe me tregun e Tiranës. Ndërkohë, në fazën që jemi na nevojitet mbështetja si nga bashkia ashtu edhe nga organizatat.”

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *