• info@izhiq.org.al
  • Kreu
  • Rreth Nesh
    • Bashkohu me ne
    • Partnerët tanë
    • Na kontaktoni
  • Programe
    • Të drejtat e njeriut dhe transparenca
    • Të drejtat e konsumatorit
    • Mjedisi
    • Çështjet gjinore dhe fuqizimi i gruas
    • Të rinjtë dhe fuqizimi i tyre
    • Shëndet dhe mirëqenie
  • Aktivitete
  • Raporte
  • Multimedia
    • Video
    • Foto
    • Infografe
    • Podcast
  • Facebook
  • Instagram

Newsletter: Aksesueshmëria në informacion për personat që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin në Shqipëri

Kreu > Uncategorized
26 Shk
By:Daniela Burnazi0 Comment

Newsletter: Aksesueshmëria në informacion për personat që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin në Shqipëri

By:Daniela Burnazi0 Comment

Probleme serioze në furnizimin me barna të QSUT – Në 5 vite gjysma e ilaçeve antitumorale nuk janë importuar asnjëherë

Pacientët me sëmundje tumorale në Shqipëri prej vitesh përballen me vështirësi të
shumta në trajtimin që marrin në spitale, përfshirë mungesën ose vonesat e barnave
jetike. Këto mungesa nuk janë thjesht çështje administrative, ato përbëjnë rrezik të
drejtpërdrejtë për jetën e pacientëve.

Në raportin e tij më të fundit të auditimit tematik mbi disponibilitetin e barnave në spitalet
publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) evidenton problematika të thella në sistemin e
furnizimit me barna antitumorale, duke nxjerrë në pah mangësi strukturore në planifikim,
monitorim dhe mbikëqyrje.
Auditimi, i cili përfshiu Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondin e Sigurimit
të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve
Mjekësore, si dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” zbuloi një situatë
alarmante.

Sipas raportit të KLSH-së, nga 253 barna antitumorale të autorizuara për tregtim në
Republikën e Shqipërisë, 116 prej tyre, ose 46% nuk janë importuar asnjëherë gjatë
periudhës janar 2021 – mars 2025.

Nga auditimi i korrespondencave mes QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe
nga shpjegimet e subjekteve të audituara, nënvizohet në raportin e KLSH-së, rezulton se
Ministria nuk ka ezauruar në mënyrë shteruese mekanizmat monitorues në procesin e
sigurimit të barnave për trajtimin e sëmundjeve tumorale.
Mosaplikimi i penaliteteve: kosto për buxhetin dhe goditje për transparencën
Nga 49 raste vonesash të pajustifikuara në furnizimin me barna antitumorale nga
importuesit farmaceutikë, Drejtoria e Kontrollit e FSDKSH-së ka ndërmarrë masa vetëm
në dy raste. Sipas raportit, penalitetet që duhej të ishin aplikuar për 49 subjektet
përgjegjëse arrijnë në një vlerë totale prej 49 milionë lekësh, por edhe ato nuk janë
zbatuar.

Ky fakt nuk përbën vetëm një mangësi administrative, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në
buxhetin e shtetit. Mosaplikimi i penaliteteve nënkupton humbje të të ardhurave që duhej
të rikuperoheshin në buxhet dhe dobësim të mekanizmave të disiplinës kontraktuale. Kur
kontratat nuk shoqërohen me pasoja financiare për moszbatim, krijohet një precedent i
rrezikshëm që ul standardin e përgjegjshmërisë dhe rrit riskun për abuzime apo
keqmenaxhim të fondeve publike.

Mungesa e një mekanizmi të rregullt dhe funksional monitorimi, siç thekson KLSH, tregon
se sektori i kontrollit ka vepruar në mënyrë selektive dhe jashtë një plani të miratuar. Kjo
cenon parimin e barazisë dhe objektivitetit në zbatimin e ligjit, duke krijuar hapësirë për
trajtim të pabarabartë të operatorëve ekonomikë.
Për më tepër, praktikat joefektive të mbikëqyrjes kanë çuar, në disa raste, në certifikimin
e padrejtë të operatorëve si “pa probleme”, edhe kur janë evidentuar mungesa të zgjatura
barnash në periudha kritike. Kjo dëmton transparencën institucionale dhe besimin publik,
pasi raportimet zyrtare nuk pasqyrojnë realitetin e furnizimit.
Në aspektin financiar dhe të qeverisjes, kombinimi i vonesave të pajustifikuara, mungesës
së penaliteteve dhe monitorimit selektiv krijon një cikël të mbyllur mosllogaridhënieje:
fondet publike përdoren pa garanci për performancë kontraktuale, mekanizmat e kontrollit
dobësohen, ndërsa transparenca dhe besimi në sistemin e furnizimit me barna cënohen
ndjeshëm.

Parregullsi në menaxhimin e barnave – efekt i drejtpërdrejtë mbi pacientët me
tumor
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton mangësi serioze në mirëadministrimin dhe
dokumentimin e barnave në spitalet publike, ku janë konstatuar receta të dublikuara,
mospërputhje ndërmjet sasive fizike dhe atyre të regjistruara në sistem, si dhe kërkesa
të përsëritura të paplotësuara për të njëjtin pacient.
Këto nuk janë thjesht parregullsi teknike apo administrative. Për pacientët me sëmundje
tumorale, të cilët ndjekin protokolle trajtimi të rrepta dhe ciklike, çdo gabim në dokumentim
apo mosgjurmueshmëri e saktë e barnave mund të çojë në vonesa në terapi, ndërprerje
të trajtimit ose zëvendësime të papërshtatshme të barnave. Në trajtimin onkologjik,
vonesa prej disa ditësh mund të ndikojë në efektivitetin e terapisë dhe në progresionin e
sëmundjes.

Recetat e dublikuara dhe mospërputhjet në sistem krijojnë pasiguri mbi gjendjen reale të
barnave dhe mund të maskojnë mungesa faktike. Ndërkohë, kërkesat e paplotësuara të
përsëritura për të njëjtin pacient tregojnë se sistemi nuk arrin të garantojë vazhdimësinë
e trajtimit, një element jetik për pacientët me tumor.
Dobësitë në menaxhimin, dokumentimin dhe gjurmueshmërinë e barnave rrisin rrezikun
jo vetëm për abuzime apo humbje financiare, por mbi të gjitha për cënim të sigurisë së
pacientëve. Në kontekstin e trajtimeve onkologjike, ku terapitë janë jetike, këto mangësi
përkthehen në rrezik real për përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe ulje të shanseve
për mbijetesë.

Raporti i fundit i KLSH-së dërgon një mesazh të qartë: sistemi i furnizimit me barna,
veçanërisht për pacientët me sëmundje tumorale, kërkon ndërhyrje të menjëhershme
strukturore dhe llogaridhënie institucionale, në mënyrë që askush të mos përballet me
mungesën e një trajtimi që i shpëton jetën. Transparency.com

By:Daniela Burnazi0 Comment

Shqipëria, regres në perceptimin e korrupsionit dhe sinjale alarmi për drejtësinë

Në raportin e sapopublikuar të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2025 të
Transparency International, Shqipëria vijon të renditet nën mesataren globale, duke u
vlerësuar me 39 pikë. Krahasuar me vitin 2024, vendi ka shënuar regres të dukshëm: ka
rënë me 11 vende në renditje, nga vendi i 80-të në vendin e 91-të, dhe ka humbur 3 pikë,
pasi një vit më parë ishte vlerësuar me 42 pikë.

Sipas raportit, ndër faktorët kryesorë që ndikojnë negativisht në perceptimin e korrupsionit
renditen dobësia institucionale, presioni ndaj gjyqësorit dhe mungesa e transparencës në
procedurat e prokurimit publik.

Ky përkeqësim i perceptimit shoqërohet me zhvillime shqetësuese në diskursin politik.
Ndërsa perceptimi i korrupsionit përkeqësohet, qeveria dhe veçanërisht Kryeministri Edi
Rama kanë intensifikuar retorikën dhe sulmet publike ndaj institucioneve të drejtësisë, në
veçanti ndaj SPAK dhe GJKKO. Kryeministri ka paralajmëruar ndryshime ligjore me
qëllim ndalimin e zbatimit të masave të sigurisë ndaj zv/Kryeministres Belinda Balluku,
duke argumentuar se këto masa përbëjnë ndërhyrje në funksionet kushtetuese të
institucioneve të tjera vendimmarrëse, përfshirë kompetencat e tij në emërimin dhe
funksionimin e kabinetit qeveritar.
Në deklarimet publike, Rama ka theksuar se funksionet kushtetuese të padelegueshme
nuk mund të pezullohen mbi bazën e rasteve individuale, duke iu referuar masave të
kërkuara nga SPAK dhe të miratuara nga GJKKO ndaj Ballukut, masa që përfshijnë nga
pezullimi i ushtrimit të funksioneve qeveritare, deri te kërkesa për heqjen e imunitetit
parlamentar për të mundësuar zbatimin e masave të sigurimit personal.
Pas vitesh të tëra në të cilat Kryeministri Rama është vetëpozicionuar si iniciator dhe
mbështetës i reformës në drejtësi, ashpërsimi i fundit i retorikës ndaj institucioneve të reja
të drejtësisë dhe paralajmërimet për rishikimin e reformës vlerësohen gjerësisht si presion
i
hapur ndaj organive të drejtësisë dhe si rrezik real për ecurinë e Shqipërisë drejt
integrimit në Bashkimin Europian.

Shoqëria civile, partitë e opozitës dhe ekspertë të pavarur kanë ngritur alarmin se, nëse
këto paralajmërime shndërrohen në veprime konkrete, ato do të përbënin hapa pas në
luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe cënim të pavarësisë së organeve të
drejtësisë.
Që prej vitit 2024, SPAK ka hapur një sërë çështjesh të konsideruara të nxehta, dosje me
akuza për korrupsion ndaj funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë. Ndër rastet më
të bujshme janë ajo e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, aktualisht në arrati, ish-ministrit
të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe kryetarit në detyrë i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ku
këta të fundit po përballen me akuzat në paraburgim, dhe rasti i fundit ku ‘goditja’ e SPAK
ka prekur nivelin më të lartë në hiherarkinë e pushtetit, dosja ndaj zv/kryeministres
Balluku një pjesë e të cilës u bë publike në fund të vitit 2025.
Ndryshe nga rastet e mëparshme, për të cilat Kryeministri ka deklaruar publikisht se nuk
ka ndërhyrë apo penguar veprimtarinë e organeve të drejtësisë, në rastin e
zv/kryeministres së tij është konstatuar një reagim i drejtpërdrejtë dhe frontal ndaj
institucioneve të drejtësisë, reagim në të cilin janë përfshirë edhe eksponentë të tjerë të
lartë të mazhorancës në pushtet, përmes deklaratave politike dhe paralajmërimeve për
ndryshime ligjore.

Këto zhvillime kanë sjellë reagimet e para shqetësuese nga komuniteti europian, i cili ka
theksuar rëndësinë e respektimit të pavarësisë së drejtësisë dhe mosndërhyrjes politike
si parakushte themelore për shtetin e së drejtës dhe procesin e integrimit europian. Përtej
pasojave institucionale dhe politike, ky klimë tensioni dhe presioni ndaj organeve të
drejtësisë pritet të përkeqësojë më tej perceptimin e korrupsionit, duke ndikuar negativisht
edhe në vlerësimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2026 dhe duke
rrezikuar një rënie të mëtejshme të pozicionit të Shqipërisë në renditjen globale të CPI
së.

Kur lufta kundër korrupsionit nuk mjafton: rasti i shëndetësisë
Lufta kundër korrupsionit ka sjellë rastet e para konkrete hetimore, por nuk ka arritur ende
ta frenojë fenomenin, veçanërisht në sektorë me risk të lartë si shëndetësia, e cila vijon
të mbetet një nga fushat më të prekura nga korrupsioni strukturor dhe keqmenaxhimi i
fondeve publike.
Edhe pse institucionet e reja të drejtësisë kanë intensifikuar veprimtarinë e tyre dhe kanë
nisur hetime ndaj funksionarëve të lartë publikë, korrupsioni mbetet i përhapur dhe
rezistent ndaj ndëshkimit. Kjo reflektohet qartë në sektorin e shëndetësisë, i cili në
Raportin e fundit të Progresit vlerësohet si një nga sektorët me riskun më të lartë për
korrupsion. Prokurimet publike në këtë sektor janë klasifikuar me “flamur të kuq”, duke
sinjalizuar rrezik të shtuar për praktika korruptive.
Një tregues domethënës i nivelit të përhapjes së korrupsionit dhe abuzimit me fondet
publike është fakti se tre nga katër koncesionet afatgjata të tipit Partneritet Publik-Privat
(PPP) në shëndetësi po hetohen aktualisht nga SPAK, nën dyshime serioze për
procedura jo transparente, keqpërdorim të fondeve publike dhe përfitime të padrejta për
interesa private.

Megjithatë, pavarësisht këtyre hetimeve dhe faktit që lufta kundër korrupsionit ka
prodhuar tashmë raste konkrete në nivele drejtuese, mekanizmat që kanë lejuar
korrupsionin sistemik në shëndetësi nuk janë çmontuar plotësisht. Kontratat
koncesionare problematike, mungesa e transparencës në vendimmarrje, dobësia e
kontrollit institucional dhe ndërthurja e interesave politike me ato ekonomike vazhdojnë
të krijojnë një terren të favorshëm për korrupsion.

Këto problematika janë evidentuar edhe përmes monitorimit të prokurimeve publike të
realizuar nga Together for Life mbi procedurat e zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë
dhe Mbrojtjes Sociale gjatë vitit 2024. Gjetjet tregojnë një nivel shumë të ulët të
konkurrueshmërisë, me një mesatare prej vetëm 1.37 operatorësh ekonomikë për
procedurë prokurimi. Një numër i kufizuar kompanish përfitojnë shumicën e tenderëve në
sektorin farmaceutik dhe të pajisjeve mjekësore, duke kufizuar konkurrencën dhe
përjashtuar operatorët e rinj apo të vegjël nga tregu. Po ashtu, gjatë vitit 2024, ofertat
fituese kanë qenë mesatarisht vetëm 2% nën fondin limit, krahasuar me 8.57% në vitin
2014, çka ngre dyshime serioze për paracaktim të fituesve dhe mungesë gare reale.
Ndërkohë, hetimet penale të hapura ndaj funksionarëve të lartë të Ministrisë së
Shëndetësisë, si edhe raportet e Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi dëmet e shkaktuara buxhetit
të shtetit në sektorin e shëndetësisë, kanë ekspozuar qartë nivelin e lartë të përhapjes së
korrupsionit në këtë sektor. Megjithatë, këto ndërhyrje nuk kanë arritur ende të prodhojnë
një efekt parandalues të qëndrueshëm. Si pasojë, sektori i shëndetësisë vazhdon të
perceptohet si një nga më të ekspozuarit ndaj korrupsionit, me pasoja të drejtpërdrejta
për financat publike, cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe besimin e qytetarëve në
sistem.Transparency.com.al

01 Dhj
By:Daniela Burnazi0 Comment

Thirre e Hapur për Ekspert Ligjor dhe Social – Ekonomik

Instituti për Zhvillim dhe Inisiativa Qytetare (IZHIQ) është në kërkim të një eskperti ligjor dhe nje eksperti social ekonomik për të zhvilluar trajnime 2 ditore në fushën e sipërmarrjes, inovacionit, start uepeve etj. Këto trajnime do të kryhen në kuadër të projektit “Të rinjtë PRO punësimit të denjë”!

✅ Trajnimet 2-ditore do të organizohen në:

  • Tiranë
  • Lezhë
  • Shkodër

📅 Afati për të aplikuar: 15 Dhjetor 2024, ora 17:00

🔗 Dërgoni CV-në, letër motivimi dhe ofertën financiare në adresën: info@izhiq.org.al

  • Dëroni dokumentet e mësipërme dorazi në adresën: Rr. Brigada VIII, Pall. Jeshil Tekno- Project, Shk 2 ap. 14

⚠️ Ky postim është hapur në kuadër të projektit “Të rinjtë PRO punësimit të denjë” i implementuar nga Insituti për Zhvillim dhe Inisiativa Qytetare (IZHIQ), me mbështetjen financiare të Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR) dhe Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët (MSHRF).

#IZHIQ #AKR #MSHRF #KoordinatorLokal #PunësimiIDenjtë #RiniaTOR Ekspert Ligjor AKR

 

By:Daniela Burnazi0 Comment

Progres raporti i KE: Shqipëria me nivelin më të lartë në Europë të pagesave nga xhepi për shëndetin

Komisioni Europian ka publikuar të martën (4 nëntor) raportin e progresit të Shqipërisë,
ku ndër të tjera përmendet edhe sektori i shëndetësisë.

Sipas raportit, Shqipëria ka nivelin më të lartë të pagesave nga xhepi në Evropë, me
qytetarët që mbulojnë 59.7% të kostove totale shëndetësore.
Gjithashtu dokumenti vë në dukje se shpenzimet publike për shëndetësinë nga ana e
qeverisë kanë mbetur nën 10%.

“Në vitin 2024, shpenzimet publike për shëndetësinë përbënin rreth 2.8% të PBB-së,
ndërsa shpenzimet totale qeveritare për shëndetësi mbetën nën 10%, pavarësisht rritjes
nominale.
Shqipëria ka nivelin më të lartë të pagesave nga xhepi në Evropë, qytetarët mbulojnë
59.7% të kostove totale shëndetësore.
Vendi po përballet me plakje të popullsisë, si pasojë e uljes së lindshmërisë, rritjes së
jetëgjatësisë dhe emigracionit.
Në fushën e e-shëndetësisë, është ngritur një sistem elektronik për mbledhjen dhe
raportimin e të dhënave mjekësore (HIS).
Legjislacioni për substancat me origjinë njerëzore është në proces përafrimi me acquis
të BE-së, por nuk ka pasur përparim për produktet mjekësore humane dhe veterinare,
pajisjet mjekësore, vlerësimin e teknologjive shëndetësore, të drejtat e pacientëve në
kujdesin ndërkufitar, apo kozmetikën”, thuhet në raport.

Çështje të tjera shëndetësore
Po ashtu në raport thuhet se ekzison një plan kombëtar për kontrollin e kancerit dhe
aktualisht janë aktive tre programe depistuese: për kancerin e zorrës së trashë, gjirit dhe
qafës së mitrës, por vë në dukje se ende nuk është krijuar regjistri kombëtar i kancerit.
“Në fushën e shëndetit mendor, zbatohet Plani i Veprimit 2023–2026, por kërkohet
zgjerim i shërbimeve komunitare. Kequshqyerja mbetet problem kritik, ndërsa obeziteti
tek fëmijët dhe anemia tek gratë shtatzëna janë shqetësuese’ theksohet ndër të tjera në
raportin e KE.

Barazia në shëndet dhe antikorrupsioni
Në raport thuhet se, plani kombëtar 2021–2025 për barazinë, përfshirjen dhe
pjesëmarrjen e romëve synon përmirësimin e aksesit në shërbime cilësore shëndetësore,
por zbatimi mbetet i dobët.
“Nuk ka zhvillime të reja për aksesin e grave në shëndet, përfshirë shëndetin seksual dhe
riprodhues”, thekson raporti.
Në fushën e antikorrupsionit, sipas progres raportit të KE institucionet e mbikëqyrjes së
tregut kanë rregulla për transparencë, etikë dhe konflikt interesi, ndërsa sektori i
shëndetësisë është identifikuar si sektor i cenueshëm në draftin e Strategjisë Kombëtare
Kundër Korrupsionit 2024–2030, por ende mungon një vlerësim i plotë i rrezikut dhe masa
specifike për ta adresuar.
Rekomandimet
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk u zbatuan dhe mbeten të vlefshme. Në
vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti:
→ të bëjë përparim në përafrimin e ligjit të konsumatorit me acquis më të fundit të BE-së
për të adresuar zhvillimet në këtë fushë;
→ të përfundojë përafrimin me acquis të BE-së mbi produktet medicinale për përdorim
njerëzor dhe veterinar, pajisjet mjekësore dhe kontrollin e duhanit;
→ të rrisë burimet financiare dhe njerëzore në sektorin e shëndetësisë, konkretisht në
kujdesin shëndetësor parësor dhe përgatitjen për emergjenca shëndetësore ndaj të gjitha
rreziqeve, dhe të garantojë akses të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore për
popullatat vulnerabël, në veçanti gratë dhe vajzat që i përkasin këtyre grupeve.
Dokumenti i KE-së për progresin e Shqipërisë, e cila aspiron të aderohet në Bashkimin
Europian, përmban të dhëna me problematika që janë identifikuar dhe adresuar gjithashtu
nga Organizata Together for Life, e cila prej më shumë se një dekade monitoron politikat
dhe shërbimet shëndetësore në vend.

Together for Life ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme shqetësimet për nivelin e lartë të
pagesave nga xhepi, mungesën e financimit publik dhe vështirësitë në aksesin ndaj
shërbimeve cilësore, veçanërisht për grupet më të cenueshme të popullsisë.
Përmes studimeve, raporteve dhe advokimit publik, Together for Life synon të nxisë
reforma konkrete në sistemin shëndetësor shqiptar dhe të garantojë më shumë
transparencë dhe barazi në kujdesin shëndetësor.

By:Daniela Burnazi0 Comment

Medikamente të skaduara dhe mungesë trajtimi për fëmijët me tumor

Një raport i fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka nxjerrë në pah të dhëna
tronditëse lidhur me barnat për trajtimin e sëmundjeve tumorale, duke theksuar hendekun
midis pacientëve dhe sistemit të drejtë shëndetësor.

Në raportin “Mbi disponibilitetin e barnave për trajtimin e sëmundjeve tumorale” është
evidentuar se nga institucionet e audituara, përfshirë Ministria e Shëndetësisë dhe
Mbrojtjes Sociale, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Agjencia e
Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, nuk janë
ezauruar në mënyrë të plotë veprimet e ndërmarra në kuadër të sigurimit të disponibilitetit
të barnave të përdorur në trajtimin e sëmundjeve tumorale.

Medikamente të skaduara në farmacinë e QSUT
Në raportin e KLSH, evidentohet se “19 flakonë Ifosfamide 1 g dhe 602 flakonë
Methotrexate në dy formëdoza: Solution for injection and infusion x 500 mg (në 10ml ose
20ml) me 372 flakonë dhe Solution for injection x 50 mg / 2 ml me 230 flakonë,
pavarësisht se kanë skaduar rezultojnë ende në sistemin Pentaho.”
Këto medikamente paraqesin risk për mbajtjen e stoqeve të skaduara në sistem dhe duke
rritur artificialisht gjendjen e barnave në sistem, pavarësisht përcaktimeve të neni 4 të
kontratave të furnizimit, i cili përcakton qartë se “Në rast mospërdorimi për arsye objektive
të medikamenteve, duke sjellë si pasojë afrimin e skadencës, shoqëria furnitore duhet të
marrë masa për tërheqjen e medikamenteve dhe zëvendësimin e tyre me të njëjtin
artikull, por me afat më të gjatë skadence”.

Në lidhje me medikamentet e skaduara, Drejtoresha e Shërbimit Farmaceutik, znj. M.R,
ka pretenduar se“Gjendja e barnave të skaduara është e dallueshme dhe nuk përdoret
nga operatorët e sistemit (farmacistë/kryeinfermierë) gjatë procesit të kërkesës dhe
shkarkimit. Kur farmacistët realizojnë shkarkimin e barnave për plotësimin e kërkesave
të shërbimeve klinike, ata veprojnë vetëm mbi barnat brenda afateve të skadencës, pasi
fushat e kërkimit për barnat skaduara, janë inaktive dhe të bllokuara nga sistemi, dhe nuk
mund të veprohet me këto barna. Sqarojmë se me afrimin e skadencës për një bar,
sistemi detekton afrimin e skadencës edhe në anën vizuale duke ngjyrosur fushën me
ngjyrë portokalli, dhe me plotësimin e datës së skadencës, ngjyrosja kthehet në ngjyrë të
kuqe, dhe bllokohet automatikisht çdo lloj veprimi me barin e skaduar. Kjo siguron që
barna të skaduara të mos përfshihen në procesin e shpërndarjes dhe përdorimit klinik çka
sqaron edhe njëherë faktin se pavarësisht se bari në fjalë i pasqyruar në pikën 8 rezulton
i skaduar në PENATAHO, ai nuk ndikon në rritjen artificiale të barnave”.

Gjendjet e barnave të skaduara që shfaqen në sistem nuk mund të konsiderohen vetëm
si një informacion statistikor, por tregojnë boshllëqe në menaxhimin e inventarit, fakt që
e indentifikon me shqetësim edhe raporti i KLSH. Edhe nëse barnat e skaduara nuk mund
të përdoren nga operatorët në procesin e shkarkimit, prania e tyre në stok sjell pasoja
negative, duke rritur artificialisht gjendjen dhe duke ngadalësuar qarkullimin efikas të
barnave. Kjo situatë mund të shkaktojë mungesa të barnave të nevojshme për trajtim,
duke ndikuar drejtpërdrejtë në shërbimin ndaj pacientëve. Për më tepër, në gjendjet e
skaduara të evidentuara nga grupi i auditimit paraqitet risku i mosnxjerjes jashtë
përdorimit të këtyre sasive dhe mbajtjes së tyre në inventarin fizik të barnave. Është
përgjegjësia e institucionit të monitorojë datat e skadencës përpara afatit të mbarimit të
kontratës, siç dhe parashikohet në nenin 5 të kontratës. Mungesa e monitorimit të zbatimit
të kontratës nga ana e MSHMS ka sjell për pasojë mos tërheqjen e barnave të skaduara
përpara përfundimit të afatit të kontratës.

Fëmijëve u mohohet trajtimi
Nga verifikimet e kryera nga KLSH për periudhën 2020-2024, fëmijët me sëmundje
tumorale nuk kanë marrë trajtim të barabartë. Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur 12
pacientë të moshës 2 deri në 18 vjeç që kërkon sipas protokolleve trajtim me Actinomycin
D, dhe KLSH ka konstatuar se në 6 raste nuk është ofruar trajtim në sisteminpublik, 1
është trajtuar jashtë vendit, sipas protokollit VAC, dhe 5 të tjerë janë trajtuar duke siguruar
medikamentin privatisht.

Pas datës 20 janar 2020 konstatohet se nuk ka patur gjendje të medikamentit
Actinomycin D 0.5 mg, në disa prej rasteve është përdorur ky medikament në trajtim. Ky
konstatim vjen bazuar në intervistat verbale që grupi i auditit të Kontrollit të Lërtë të Shtetit
ka zhvilluar me mjekët e Shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike, si dhe bazuar në
shënimet e bëra në kartela, epikrizat e pacientëve, ku konstatohet se medikamenti është
siguruar privatisht nga familjarët apo përmes donacioneve. Në gjykimin e grupit të
auditimit, sigurimi në këto mënyra nuk ofron siguri të plotë për mënyrën e ruajtjes së këtij
medikamenti dhe rrjedhimisht edhe të efektit të tij.
“Për periudhën objekt auditimi, bari Actinomycin D 0.5 mg është siguruar përmes
donacionit nga Sheba Medical Center, spital në Izrael, i cili ka dhuruar 24 flakonë
Actinomycin D 0.5 mg, në QSUNT. Referuar intervistave verbale me mjekët e Shërbimit
të Onkohematologjisë Pediatrike, donacioni ka ardhur në datën 24.12.2024, ndërsa
shkresa e tij mban datën 25.12.2024, protokolluar në QSUNT me shkresën nr. 3068/1
prot., datë 26.12.2024.

Rezulton se deri në përfundim të fazës së auditimit në terren, në QSUNT gjendja e barit
Actinomycin D 0.5mg duhet të rezultonte 2 flakonë, pasi 22 flakonë janë përdorur në
trajtim referuar informacionit të sjellë nga Shërbimi i Onko-Hematologjisë Pediatrike. Në
kushtet kur për marrjen në dorëzim të barit nuk është evidentuar procesverbal, ka qenë
e pamundur të verifikohet fizikisht sasia e mbetur e barit duke qenë se nuk është bërë
hyrje në inventar”, thuhet në raport.

KLSH në raport lë detyra për drejtorin e Përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare
“Nënë Tereza” që të marrë masa për zbatimin e një protokolli të unifikuar për marrjen në
dorëzim, administrimin dhe raportimin e barnave të siguruara përmes donacioneve/ në
mënyrë private, ku të përshihet informacioni për sasinë e marrë, datën, pacientin për të
cilin përdoret, dozën e administruar dhe personin përgjegjës në spitalin Onkologjik.
Gjithashtu, KLSH rekomandon se drejtori i Përgjithshëm i QSUNT duhet të marrë masa
për ngritjen e një grupi pune për verifikimin e flakonëve të mbetur gjendje të Actinomycin
D, të cilët nuk evidentohen në inventar apo në sistemin elektronik.
Nënfinancimi i sektorit të shëndetësisë dhe pasojët tek pacientët
Një nga shkaqet kryesore të këtyre problematikave të mëdha në sistemin shëndetësor
shqiptar, konkretisht Shërbimit Onkologjik, është nënfinancimi buxhetor për sektorin e
shëndetësisë.
Financimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) bëhet me transferime
nga Buxheti i Shtetit, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe
FSDKSH-së. Po ashtu, pjesë e financimit janë edhe të ardhurat dytësore, të cilat mbarten
në vitin buxhetor pasardhës, të gjeneruara nga shërbimet e ofruara, kontratat me palë të
treta apo donacione, përdorimi i të cilave bëhet tërësisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos
së shërbimit, bazuar në procedurat e miratuara nga MSHMS.

Together for Life çdo vit ngre shqetësimin për nënfinancimin e sektorit shëndetësor që
sjell si pasojë mungesë shërbimesh, shërbime pa cilësi dhe përjashtimin e grupeve
vulnerabël nga e drejta për të përfituar shërbim shëndetësor cilësor kudo dhe kurdo të
përballueshëm për çdo kategori. Edhe në raportin e shoqatës Together For Life
“Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë për vitin 2024”, si dhe në raportin
“Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 – Arritjet dhe Sfidat”
rezulton se buxheti i shëndetësisë është më i ulët nga parashikimet në Strategjinë
dhjetëvjeçare të shëndetësisë si dhe më i ulëti krahasuar me vendet e Rajonit.
Shpenzimet në sektorin e shëndetësisë për Shqipërinë në raport me shpenzimet e
përgjithshme publike janë më të ulëtat me mesatarisht 9% përgjatë periudhës 2005-2022,
sipas raporteve të mësipërme, ndërkohë që Shqipëria kryeson listën e vendeve të rajonit
me shpenzimet nga xhepi në nivelin e 51%.

Mungesa e buxhetit të nevojshëm sigurisht do të shfaqë probleme edhe në mos ofrimi në
kohë të barnave për pacientët me sëmundje onkologjike gjë që përbën një cënim të
drejtave themelore të njeriut dhe të drejtës kushtetuese për kujdes shëndetësor.

By:Daniela Burnazi0 Comment

Prokurimet pa garë në shëndetësi: Humbje për buxhetin, rrezik për pacientin

Sistemi i prokurimeve publike në sektorin e shëndetësisë, i menaxhuar kryesisht nga
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka njohur një përkeqësim të ndjeshëm
gjatë dekadës së fundit. Megjithëse në teori procedurat bazohen në një kuadër ligjor që
synon përdorimin efikas të fondeve publike, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe
shmangien e abuzimeve, realiteti i vitit 2024 tregon një panoramë krejt tjetër: mungesë
transparence, konkurrencë të dobët dhe përqendrim të skajshëm të kontratave në duart
e pak operatorëve.

2024, rreth 1/3 e procedurave të prokurimeve të kryera nga Ministria u anuluan
Institucionet shëndetësore gjatë vitit 2024 kanë realizuar 1,514 procedura prokurimi,
bazuar në të dhënat e Sistemit Elektronik të Prokurimeve, me një vlerë totale prej 26.5
miliardë lekësh pa TVSH, nga te cilat vetëm 1,014 procedura janë finalizuar me njoftim
fituesi, me një fond limit prej 20.2 miliardë lekësh. Vetëm nga MSHMS janë realizuar 392
procedura përfshirë blerjen e barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve të
specializuara, nga të cilat 31% (122 procedura) rezultojnë janë anuluar. Shkaqet kryesore
të anulimit bazuar në informacionin e siguruar në rrugë zyrtare janë për shkak të
gabimeve ose dokumentacioneve të stafit 98 procedura (80%), tregues ky alarmant që
nxjerr në pah në mënyrë të veçantë mungesën e kapaciteteve profesionale të stafit
përgjegjës për hartimin e dokumenteve të tenderit, ndërsa pjesa tjetër për shkak të
mungesës të ofertave të papërshtatshme ose të mungesë së ofertave
Kjo normë e lartë anulimesh është tregues mungesë të trajnimeve të rregullta për stafin
përgjegjës për prokurimet publike në Ministri, dobësi të theksuara në kontrollin e
brendshëm cilësor, mekanizmat e dobët të monitorimit dhe përgjegjësisë institucionale.

Mungesë e theksuar konkurence
Nga një analizë e detajuar e procedurave prokuruese të zhvilluara nga MSHMS gjatë vitit
të kaluar – realizuar nga ekspertët, konstatohet nivel shumë i ulët i konkurrencës, ku
numri mesatar i operatorëve ekonomikë për çdo procedurë rezulton vetëm 1.3, pra në
shumicën e rasteve kemi ose vetëm një ofertues gjë që krijon perceptimin e një gare pa
garë dhe që ndikon drejtë për drejtë në vendosjen e kushteve të pafavorshme
kontraktuale mes institucionit publik dhe operatorit privat dhe ka ndikim negativ në
financat publike pasi nuk rezulton me ulje të çmimit të blerjes së produktit/ dhe ose
shërbimit me çmim më të volitshëm.

Vetëm 2% rezulton ulja mesatare e çmimit nga fondi limit gjatë 2024, krahasuar me 8.57%
në vitin 2014. Kjo tregon një zhvendosje permanente drejt një tregu të centralizuar, me
çmime fituese afër pragut të fondit limit, çka lë të kuptohet për garë të simuluar apo
përfitues të paracaktuar.

2014-2024, regres në prokurimet në sektorin e shëndetësisë
Përtej nivelit të ulët të konkurrencës që karakterizon prokurimet publike në sektorin e
shëndetësisë, një tjetër dukuri shqetësuese që del në pah është koncentrimi i lartë i
fituesve të tenderëve. Të dhënat e vitit 2024 tregojnë se 72% e tenderëve janë fituar
nga vetëm 10 kompani, duke krijuar një panoramë të ngushtë të aktorëve që përfitojnë
nga fondet publike të destinuara për këtë sektor jetik.
Në kontrast të qartë me këtë situatë që reflekton përqendrim dhe centralizim, në vitin
2014 rezultonin fitues 68 operatorë të ndryshëm ekonomikë. Shpërndarja më e gjerë
e kontratave jo vetëm që nënkupton treg më të hapur dhe më dinamik, por krijon edhe
kushte më të mira për konkurrencë të vërtetë, transparencë dhe optimizim të çmimeve
dhe cilësisë së shërbimeve.

Në letër, procedurat e prokurimit janë të hapura për pjesëmarrjen e operatorëve të huaj
dhe për kompani të ndryshme vendase, por vihet re se, në praktikë, gara është e
dominuar nga një rreth i ngushtë subjektesh. Kjo ngre dyshimet se këto operatorë
që rezultojnë pothuaj përherë fitues në tenderat e organizuara nga Ministria e
Shëndetësisë, më shumë se sa për shkak të kapaciteve teknike dhe ekonomike,
përfitojnë falë lidhjeve të tjera me sistemin – duke monopolizuar tregun.
Dominimi i një grupi të vogël kompanish në një sektor të financuar bujarisht nga buxheti
i
shtetit, siç është shëndetësia, nuk është thjesht një çështje statistike, por, në fund të
fundit, ai përkthehet në pasoja konkrete dhe të dëmshme për funksionimin e tregut dhe
interesin publik. Kur kontratat e rëndësishme për barna, pajisje apo shërbime mjekësore
përqendrohen vazhdimisht tek të njëjtët fitues, zhduket mundësia për garë të vërtetë dhe
me të edhe shpresa për oferta më të mira dhe më të leverdishme për shtetin.
Kjo situatë rrit ndjeshëm rrezikun për praktika favorizuese apo procedura të paracaktuara,
të cilat dëmtojnë transparencën dhe minojnë besimin në sistemin e prokurimeve. Për më
tepër, mungesa e konkurrencës e ul ndjeshëm presionin mbi kompanitë për të rritur
inovacionin, për të përmirësuar cilësinë apo për të ofruar çmime më konkurruese. Me fjalë
të tjera, në mungesë të sfidës nga operatorë të tjerë, fituesit e zakonshëm nuk kanë asnjë
nxitje për të bërë më mirë. Dhe në fund, është sistemi shëndetësor dhe vetë qytetarët ata
që paguajnë çmimin e këtij monopoli të heshtur.

Në një sistem ku garantohet konkurrenca e drejtë, fituesit e tenderëve duhet të
ndryshojnë në varësi të cilësisë së ofertës, përvojës dhe kostos. Por kur të njëjtat kompani
fitojnë shumicën dërrmuese të kontratave për vite me radhë, pa ulje të dukshme të
çmimeve dhe me mungesë pjesëmarrjeje nga aktorë të rinj, kjo është një sinjal i qartë
alarmi për mungesë gare reale dhe për rrezik të përdorimit joefikas të fondeve publike.
Përballë kësaj situate alarmante, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet
menjëherë të marrë masa konkrete për rikthimi i diversitetit në tregun e prokurimeve
dhe promovimi i pjesëmarrjes së gjerë mbetet domosdoshmëri, nëse synohet një
sistem shëndetësor më i drejtë, më i qëndrueshëm dhe më transparent. Trasparency.com

By:Daniela Burnazi0 Comment

Transplanti i veshkave në Shqipëri – një shërbim jetik që i është lënë peng sektorit privat

“Së shpejti, sëmundjet e veshkave do të zënë vendin e katërt si shkak vdekjeje për
njeriun”, ngre alarmin mjeku nefrolog, Prof. Dr.Alket Karoshi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit rreth 1.2 milionë njerëz në
mbarë botën humbin jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e sëmundjes kronike të veshkave.
Deri në vitin 2040, kjo shifër pritet të rritet në 4 milionë, duke përfaqësuar më shumë se
trefishim të numrit të vdekjeve të lidhura me këtë sëmundje.

Veshkat konsiderohen si organe jetësore në trupin e njeriut, që kryejnë funksione
thelbësore për mirëfunksionimin e tij. Veshkat janë përgjegjëse për filtrimin e gjakut dhe
largimin e mbetjeve toksike përmes urinës, rregullimin e balancës së lëngjeve dhe
elektroliteve, kontrollin e tensionit të gjakut, prodhimin e eritropoetinës që stimulon krijimin
e qelizave të kuqe të gjakut, si dhe aktivizimin e vitaminës D për përthithjen e kalciumit.
Në rast të dëmtimit të rëndë të veshkave, këto funksione jetike dështojnë dhe organizmi
nuk arrin të pastrojë vetë gjakun, duke çuar në grumbullimin e toksinave dhe lëngjeve në
trup. Në këto raste, pacienti ka nevojë për dializë, një trajtim mjekësor që zëvendëson
përkohësisht funksionin e veshkave duke kryer filtrimin e gjakut jashtë trupit. Dializa është
thelbësore për mbijetesën e pacientëve me pamjaftueshmëri të rëndë renale.

Për herë të parë shërbimi i dializës në Shqipëri është ofruar që në vitin e largët 1985.
Prof. Dr.Alket Koroshi kujton se për herë të parë, së bashku me kolegun Prof.Dr. Myftar
Barbullushi, ngritën në vitin 1985 Qendrën e Hemodializës në spitalin civil “Nënë Tereza”,
pas specializimit të kryer në Itali. “E ngritëm në një terren të panjohur, sepse ne nuk kishim
as infermierë të kualifikuar, as inxhinierë, as teknikë që të mirëmbante skedat teknike të
aparaturës së hemodializës”, tregon doktor Koroshi. “Ngritëm një qendër hemodialize me
tre aparatura dhe 12 pacientë dhe ky ishte një sukses i madh për atë kohë, sepse kjo
ishte zanafilla që çoi në krijimin e një eksperiencë dhe u përgatiten mjekët më të rinj, duke
bërë të mundur të hapen pas disa vitesh shumë qendra hemodialize në vendin tonë dhe
praktikisht në çdo qytet kemi nga një qendër hemodialize sot.”

Sot në Shqipëri janë 1,477 pacientë që trajtohen me hemodializë çdo muaj, të cilët, mes
zhurmës së aparaturave presin në heshtje një transplant që do u shpëtonte jetën. Por
shpresa për ta është minimale, pasi ky shërbim nuk është funksional në sistemin e
shëndetit publik, në Shqipëri.

Sëmundjet e veshkave: Një kërcënim i heshtur që prek cilësinë e jetës
Sëmundjet e veshkave janë në rritje në mbarë botën dhe mbeten një alarm për shëndetin
publik. Një epidemi e qetë që po përhapet, ndërkohë ndërgjegjësimi për pasojat mbetet i
ulët.

Për mjekun Koroshi: “Sëmundjet e veshkave janë shumë të përhapura, por shumica e
njerëzve që vuajnë nga sëmundja e veshkave, nuk e dinë, sepse nuk kanë bërë asnjë
ekzaminim. Për të konstatuar, që një individ ka sëmundje të veshkave mjafton që të
analizën e keratinemisë në gjak dhe një analizë urine, sepse veshkat mund të preken nga
sëmundjet metabolike si diabeti dhe pikërisht diabeti është shkaku kryesor i sëmundjeve
të veshkave. Në qendrat e dializës rezulton se gjysma e pacientëve janë diabetikë.
Gjithashtu, hipertensioni arterial, sëmundjet kardiovaskulare, infeksionet, sëmundejet që
bllokojnë rrugët urinare, siç janë gurët,(neuropatitë obstruktive), sëmundjet e trashëguara
të veshkave (veshka policistike , sëmundjet imulogjike, mbeten kërcënim për veshkat.”
Insuficienca renale, që në popull njihet si sëmundja e azotemisë është një sëmundje që
në stadet e para trajtohet me terapi medikamentoze dhe në stadin e pestë trajtohet me
dializë ose me kryerjen e transplantit renal. Shumë pacientë kryejnë dializën për një
periudhë të gjatë kohore me intervale të caktuara zakonisht me regjim 3 herë në javë
kohëzgjatje 4 orë deri në fund të jetës së tyre.

Hemodializa është shumë e mirë, por e mban pacientin lidhur dhe shpesh është vetëm
një zgjidhje provizore dhe jo-afatgjatë për ata me dështim të veshkave. Sa më gjatë merr
trajtim me hemodializë aq më i lartë është rreziku i ndërlikimeve të tjera shëndetësore
përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, infeksionet dhe përkeqësimin e cilësisë së jetës.
Shërbimi i hemodializës financohet nga buxheti i shtetit dhe ofrohet si në sistemin publik
nëpërmjet QSUNT dhe spitaleve rajonale ne të gjithë vendin, ashtu edhe atë privat
nëpërmjet kontratës koncesionare të partneritetit publik-privat.
Bazuar në të dhënat e ofruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vihet
re se rreth 60% e pacientëve (874 pacientë) i kryejnë seancat e dializës në sektorin privat,
ndërsa pjesa tjetër në sektorin publik.

Mjeku nefrolog Altin Koroshi analizon avantazhet dhe disavantazhet e tre mënyrave të
trajtimit të problemeve të renda renale: “Hemodializa është shumë e mirë, por e mban
pacientin lidhur. Një herë në dy-tre ditë duhet të shkosh në spital dhe të kryesh
procedurën, që zgjat 4-5 orë, dhe të shoqërohesh nga një familjar. E gjithë familja mbetet
e ngazhuar dhe pacienti ka jetesë jo -cilësore. Një zgjidhje tjetër është dializa peritoneale,
ku pacienti nuk ka nevojë të shkojë në spital, si filtër shërben membrane peritoneale që
ndodhet në bark. Këtë trajtim pacienti e merr në shtepi, por ka edhe mangësitë e veta,
sepse mundësia e marrjes së një infeksioni është më e madhe dhe mund të krijohen
komplikacione të tjera. Mënyra e tretë është transplanti, është më e mirë se dy të parat,
sepse i sëmuri nuk e ka të nevojshme të shkojë në spital, por edhe jetëgjatësia dhe
rikuperimi është më i mirë. Po të ndiqet mirë dhe me ilaçet e nevojshme mund të jetojë
shumë vite dhe të jetë i aftë të kryejë nevojat e tij personale dhe te jete aktiv në shoqëri.”
Mundësia për një jetë të re, por jo për të gjithë
T.L (pacient): “Kur je në një listë pritjeje, ky është vendi më i keq, sepse rreziku rritet çdo
ditë. Të fusin gjilpërat në krah dhe rri ulur në një karrige për katër orë. Kjo është rutina
çdo dy ditë. Dhe kështu do të jetë, ndoshta deri në fund të jetës sime”

Mjekët nënvizojnë se hemodializa dhe transplanti i veshkave sigurojnë cilësi të ndryshme
jetese, sidomos për femrat dhe moshat e reja që janë aktive. Një pacient i transplantuar
merr një trajtim të vazhdueshëm prej 2-3 medikamentesh dhe mund të vazhdojë
aktivitetin e tij normal. Sidomos për gratë në hemodializë është shumë e vështirë të
planifikojnë shtatzëni, ndërkohë që pas kryerjes së trasplantit të veshkave një grua mund
të sjellë në jetë fëmijë pa problem.

Në vitet ’90, pas rënies së sistemit dhe hapjes së kufijve, shumë shqiptarë të dëshpëruar
dhe të lënë pa zgjidhje, shqiptarët udhëtonin drejt Pakistanit për të blerë organe, kryesisht
veshka. Veshkat ofroheshin nga njerëz që jetonin në varfëri ekstreme, kundrejt një
pagese prej 2-3 mijë euro. Pacientët shqiptare pas sigurimit të organit në mënyrë të
paligjshme dhe që shpesh bëheshin pre e grupeve kriminale ndërkombëtare, u
nënshtroheshin ndërhyrjeve kirurgjikale të fshehta, të paligjshme dhe shpesh të
rrezikshme. Disa prej atyre që kaluan nëpërmjet këtij kalvari ia arritën t’ia dilnin të
mbijetonin. Të tjerë u mashtruan, u lanë rrugëve, e nuk u kthyen më.

Ndërtimi i një sistemi modern transplanti në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza
(QSUT) u reklamua me bujë në vitin 2005, por vrulli u shua shpejt.

Mjeku Koroshi sjell në kujdesë premtimin e bërë 20 vite më parë:“Në vitin 2005, qeveria
nisi një iniciativë dhe krijoi një komision të përbërë nga 5-6 anëtarë, i cili do të kishte për
detyrë kualifikimin e mjekëve dhe përgatitjen e terrenit dhe kushteve për realizimin e
transplantit. Në fillim, ky proces nisi me shumë vrull, por më pas ky entuziazëm u shua
në praktikë dhe përfundoi me një rezultat modest. “U mbars mali dhe polli një mi”, thotë
populli. U realizua vetëm një transplant në Spitalin Civil “Nënë Tereza”, dhe ai u krye nga
një ekip me mjekë turq. Në vitin pasardhës u krye një tjetër ndërhyrje, por iniciativa e
transplantit nuk arriti të zhvillohej siç ishte planifikuar.”

Pas 20 vitesh, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim. Transplanti i veshkave nuk ofrohet
ende në sistemin publik ndërsa, kohë pas kohe, institucionet përgjegjëse i rikthehen
premtimit të dikurshëm që vazhdon të mbetet veçse premtim.

Aktualisht transplanti i veshkës ofrohet vetëm nga spitalet private pas aplikimit të një
pakete shëndetësore në vitin 2015, që mbulon 100% të kostos së ndërhyrjes kirurgjikale
nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Ky shërbim ofrohet që prej nëntorit të vitit 2007 në Spitalin Amerikan nga ekipe me mjek
turq dhe shqiptarë, dhe prej 2007-ës e deri më tani në këtë spital janë kryer rreth 250
transplante renale.
Paketa e shërbimit të transplantit të veshkës (me dhurues të gjallë) e mbuluar nga shteti
përfshin ekzaminimet para transplantit si për marrësin edhe për dhuruesin si analizat
biokimike, imunologjike, markuesit tumoralë, dhe imazheri virologjike. Po ashtu është
miratuar dhe zbatohet edhe një protokoll i ndjekjes së pacientit pas kryerjes së
transplantin që përfshin ekzaminimet për marrësin e dhuruesin, si dhe terapinë e
induksionit dhe imunosupresoret (dozimi në gjak) vetëm për marrësin .
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përgjigjen e dhënë ndaj kërkesës për
informacion drejtuar në kuadër të përgatitjes së këtij shkrimi ka informuar se: “Në vitin
2024 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor janë financuar të
gjithë pacientët që plotësonin kriteret mjekësore, sipas protokollit mjekësor për të kryer
transplantin. Në vitin 2024 janë realizuar në spitalet e kontraktuara nga Fondi dhe
financuar 14 Paketa të Transplantit të Veshkës.”

Pra, gjatë vitit 2024 janë realizuar vetëm 14 transplante të veshkave, nga 26 të
planifikuara në fillim të vitit, duke përmbushur kështu vetëm gjysmën e objektivit, dhe
Ministria nuk ofron ndonjë sqarim për këtë fakt. Këto ndërhyrje janë kryer falas për
pacientët në spitalet private të kontraktuara nga Fondi.
Sipas ligj nr.10454, dhurimi i veshkave lejohet kryesisht nga familjarë të afërt të pacientit,
gjë që kufizon ndjeshëm bazën e dhuruesve të mundshëm. Në Shqipëri deri tani është
kryer transplanti vetëm me dhurues të gjallë, të cilët kanë lidhje familjare me pacientin siç
janë prindër, kushërinj të parë apo të dytë. Por, përveç dhuruesve me lidhje gjaku
transplanti kryhet edhe midis bashkëshortëve, dhe vjehrrit/vjehrrës.
Doktor Koroshi sqaron se“si nëEuropë, ashtu edhe në SHBA, procedura kryesore mbetet
hemodializa, sepse gjithmonë ai që do të kryejë transplantin ka nevojë për veshkë dhe
ka vështirësi për gjetjen e organit. Tek ne dhurues mund të jenë vetëm të afërmit dhe
dikush jo-familjar nuk mund t’i japë apo shesë veshkën dikujt. Shitja e veshkës është e
ndaluar edhe në Europë. Këtu vështirësohet, pasi njeriu duhet ta dhurojë veshkën me
vullnetin e plotë dhe nuk mund ta imponosh.”

Përveç vështirësisë për sigurimin e dhuruesve, mjekët thonë se ende qytetarët mendojnë
se transplanti i veshkës kushton shumë dhe ende nuk janë të informuar se mund të kryhet
falas edhe në Shqipëri.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale , Paketa e
transplantit të veshkës paguhet sipas mënyrës “Pay per Use” dhe kostoja e saj shkon në
vlerën 1,151,942 lekë (miratuar me VKM Nr.102 datë 05.02.2020). Fondi i Sigurimeve të
Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor ka detyrimin të mbulojë shpenzimet e plota, për
çdo pacient që kryen transplantin e veshkës gjatë një viti buxhetor, pasi ka plotësuar
kriteret mjekësore të përcaktuara në protokollin mjekësor.

Transplanti i veshkave nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një organi të ri, po mbi të gjitha
ka të bëjë me marrjen e një mundësie për një jetë të re, ku nga statistikat rezulton se
personi që ka kryer transplant ka 90% mundësi për të punuar një vit pas operacionit.
Transplanti i veshkës nuk është thjesht një ndërhyrje mjekësore – është një mundësi për
jetesë me dinjitet dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri. Megjithatë, ky shërbim jetik vijon të
mbetet i kufizuar, i centralizuar në sektorin privat dhe jashtë kapaciteteve të sistemit
shëndetësor publik. Për aq kohë sa premtimet institucionale nuk përkthehen në zgjidhje
konkrete, pacientët shqiptarë do të mbeten peng i listave të pritjes, pasigurisë dhe
shpesh, i vuajtjeve të panevojshme. Ndërtimi i një sistemi funksional dhe të qëndrueshëm
të transplantit të veshkave në spitalet publike është jo vetëm një domosdoshmëri
mjekësore, por edhe një provë e vërtetë e përgjegjshmërisë shtetërore.

By:Daniela Burnazi0 Comment

Nga mjeku tek farmacia: Udhëtimi i detyruar i pacientit shqiptar

“Mjeku që më lëshoi recetën e ilaçeve, e fotografoi atë, duke më krijuar bindjen se ishte
lidhur paraprakisht me depon farmaceutike dhe merrte përqindje nga ilaçet e përshkruara
në recetë”, dëshmon një pacient i cili tregon se shumë herë është orientuar nga mjeku që
t’i marrë medikamentet e përshkruara në recetë në një farmaci të caktuar.”
Ky nuk është një rast i izoluar. Sipas të dhënave të ofruara nga organizata Together for
Life, bazuar në një anketë online me 1000 të anketuar në Shqipëri, evidentohet se 67%
e personave kanë deklaruar se janë orientuar nga mjeku për t’i marrë medikamentet në
një farmaci të caktuar, nga të cilët 48% janë orientuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe
19% në mënyrë të tërthortë. Vetëm 28% e pjesëmarrësve në anketë kanë deklaruar se
nuk janë orientuar asnjëherë nga mjeku, ndërsa 4% nuk janë të sigurt ose nuk e kujtojnë.
Ky fenomen, i cili ngre pikëpyetje serioze për etikën profesionale dhe konfliktin e interesit
në sistemin shëndetësor, duket se nuk është thjesht një fenomen i izoluar, por një model
funksional që prodhon përfitime të njëanshme në kurriz të pacientit.

Nga përkujdesja te presioni i heshtur
Një tjetër pacient, i ardhur nga Pogradeci për të marrë shërbim në Qendrën Spitalore
Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, tregon për përvojat e tij të përsëritura me orientimin
drejt një farmacie të vetme nga mjeku që e trajton prej vitesh për sëmundjen e tij:
‘Ne nga Pogradeci, sa herë bëjmë vizitën te doktori, na thonë ‘shko merre në filan farmaci
ilaçin, mi sill t’i shoh edhe njëherë unë”. Një herë i mora medikamentet në një farmaci
tjetër nga ajo që më kishte sugjeruar mjeku. Pagova për to 113 mijë lekë të vjetra. Kur
shkova tek mjeku t’i tregoja medikamentet që sapo i kishte blerë, ai më tha se duhet t’i
kisha marrë tek farmacia që më kishte sugjeruar sepse ato që kisha marrë nuk bënin.
‘Shko ktheji atje ku i ke marrë dhe merri tek farmacia që të kam thënë. ’ më urdhëroi.
Ashtu bëra. Ishin të njëjtat medikamente, me të njëjtin paketim. ‘Nuk janë njëlloj’ – më tha
mjeku, ‘mos shih kartonin, ne njohim kokrrat që ka brenda.’

Pacientët ndihen të detyruar të ndjekin udhëzimet e mjekut jo për shkak të besimit në
kujdesin profesional, por për shkak të frikës se mjeku mund të refuzojë t’i trajtojë, nëse
nuk ndjekin “udhëzimet” për blerjen e barnave. Në këtë kontekst, shëndeti shndërrohet
në një lojë pushteti, ku mjeku mban kontrollin mbi çdo hallkë të trajtimit.
Megjithëse orientimi i pacientëve nga mjekët drejt farmacive të caktuara përbën një
praktikë me pasoja të diskutueshme etike dhe ligjore, një pjesë e konsiderueshme e
pacientëve e pranojnë dhe madje e justifikojnë këtë fenomen si një formë “garancie
cilësie”. Sipas këtyre pacientëve, udhëzimi i mjekut nuk është i motivuar nga përfitimi
personal, por nga dëshira për t’i drejtuar ata drejt farmacive të besueshme, ku mund të
gjejnë barnat e duhura, efektive dhe në gjendje të mirë.

“Po, sigurisht që mjeku më ka sugjeruar farmacinë ku gjenden ilaçe cilësore. Si do të
shërohem me ilaçe të skaduara? Ato që janë në rimbursim janë si gëlqere, nuk bëjnë
asnjë efekt,” shprehet një pacient i moshuar, i cili shton se nuk i blen medikamentet e
rimbursuara për shkak të mungesës së besimit tek cilësia e tyre. Ai thekson se çmimin e
barnave e përballon me ndihmën financiare që merr nga e bija në emigracion.
Ky qëndrim, ndonëse i ndërtuar mbi përvojë personale dhe perceptime të përhapura, nuk
mund të ligjërojë një praktike që cenon të drejtën e pacientit për zgjedhje të lirë dhe barazi
në qasjen ndaj barnave. Mungesa e besimit në sistemin e rimbursimit dhe në kontrollin e
cilësisë së barnave tregon për një dështim institucional, i cili po shfrytëzohet nga aktorë
të caktuar për përfitime private. Në këtë mënyrë, orientimi “si kujdes” po shndërrohet në
një normë të rrezikshme që rrit pabarazitë dhe rrezikon shëndetin publik.
Farmacistja S.G., e vetëdijshme për këtë realitet, pranon se “ky fenomen është i vjetër sa
vetë bota”, dhe sugjeron që zgjidhja mund të gjendet vetëm në fuqizimin e legjislacionit
për trajtimin e recetës dhe në përfshirjen e profesionistëve në tryezat vendimmarrëse.
Ndërkohë, një farmacist pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr. 3 në Tiranë rrëfen se kjo
praktikë i ka shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në punën e tij:
“Mjekët shkojnë deri aty sa më bëjnë anti-reklamë. U thonë pacientëve se ilaçet që
ndodhen në farmacinë time janë të skaduara. Në fakt, barnat janë të njëjtat – vijnë nga
e njëjta depo farmaceutike.”

Ky pohim i rrezikshëm thekson përmasat agresive të konkurrencës jo të ndershme, ku
një mjek jo vetëm që orienton, por edhe dënon farmacistët që nuk janë pjesë e
“marrëveshjes”.

Nevoja për rregulla dhe mbikëqyrje reale
Praktika e orientimit të pacientëve drejt farmacive të caktuara përmes ndikimit të
drejtpërdrejtë apo nënkuptuar të mjekëve përbën shkelje të rëndë të etikës profesionale
dhe cenon të drejtën e pacientit për zgjedhje të lirë dhe trajtim të barabartë.
Ky fenomen nuk është thjesht një shkelje administrative apo një “marrëveshje nën
rrogoz”, por pasqyrë e krizës morale në sistemin shëndetësor, ku pacienti shihet si mjet
fitimi ndërsa mjeku shndërrohet në ndërmjetës tregtar.
Fenomeni nuk ka kaluar pa u vënë re nga institucionet mbikëqyrëse. Alfred Leskaj,
përfaqësues i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), deklaroi gjatë një tryeze të organizuar
nga TFL se po hetohet me prioritet ekzekutimi i recetave elektronike dhe organizimi i
listës së barnave të rimbursueshme nga mjeku i familjes dhe farmacitë me kontratë me
FDSKSH.
“Një pikë me risk të lartë është ekzekutimi i recetave elektronike pranë farmacive të
kontraktuara, që nuk kontrollohet nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm
Shëndetësor,” deklaroi Leskaj.

KLSH ka rekomanduar që pacientëve t’u jepet informacion i qartë për barnat e
përshkruara përmes shënimit të tyre në librezën shëndetësore, si një mënyrë për të
forcuar transparencën dhe për të rritur kontrollin e qytetarit mbi trajtimin e vet.
Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, përmes këshilltares
Silvana Ramadani, ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë
dhe Mbrojtjes Sociale, është duke u rishikuar ligji për barnat dhe shërbimin farmaceutik,
me synim të qartë: lehtësimin e qarkullimit të barnave, forcimin e gjurmueshmërisë dhe
rritjen e aksesit të qytetarëve ndaj medikamenteve të nevojshme.
Ky rishikim edhe pse konsiderohet një hap i rëndësishëm, është i pamjaftueshëm nëse
nuk shoqërohet me adresimin e plotë të fenomenit të orientimit të pacientëve drejt
farmacive të caktuara, një praktikë që ka marrë përmasa shqetësuese dhe që po minon
besimin në sistemin shëndetësor publik.
Vetëm përmes një qasjeje të gjithanshme dhe të thellë ndaj këtij fenomeni, që përfshin
aspektet etike, ligjore, institucionale dhe njerëzore, mund të garantohet një sistem
shëndetësor i drejtë dhe me integritet.

Sepse në fund të fundit, shëndeti nuk është një ‘mall tregu’, por një e drejtë dhe një
përgjegjësi shoqërore. Trasparency.com

08 Mar
By:Daniela Burnazi0 Comment

Sistemi shëndetësor ka nevojë për injektim parash dhe mirëmenaxhim

Humbja nga kontra tat koncensionare deri më 2021 arrin në 47,5 milionë euro, të mjaftueshme për ndërtimin e një spitali të ri.

MUNGESA E FINANCIMIT

Nënfinacimi kronik dhe planifikimi i dobët vijon të rëndojë sistemin shëndetësor në vendin tonë vitet e fundit. Koncensionet nuk kanë përmbushur qëllimin e tyre për shërbime shëndetësore cilësore në kohë dhe me kosto të ulët, ( për mbulim universal). “Nëse shohim investimet në infrastrukturë , për çdo 1 lekë të investuar për ndërtimin e një qendre shëndetësore, 6 lekë shkojnë për koncensione”, u shpreh, Doktor. Ilir Alimehmeti në tryezën e organizuar nga shoqata “Together for Life” ku u prezantua raporti, “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 – Arritjet dhe Sfidat”. Sfidat e shëndetit publik të vendit tonë janë në rritje. Ne përballemi me sfidat e vazhdueshme të gripit sezonal, shpërthimet e sëmundjeve të parandalueshme me vaksina , kërcënimet e paprecedenta të pandemisë COVID-19, krizë që ka evidentuar akoma më shumë rreziqet. Ndërkohë, shpenzimet për shëndetin publik, si pjesë e shpenzimeve totale për shëndetin, vijojnë të ulen, fakt i evidentuar edhe nga profesionistët e shëndetit. “Sistemi jonë shëndetësor sëmundjen e ka se në rradhë të parë s’ka lek. Kjo është sëmundja. Në rradhë të parë s’ka lek. Është i nënfinancuar në një shkallë tejmase të ulët. T’i lëmë gjërat sikur funksionon gjithçka. Nuk funksionon. Shëndetësia kushton. Shëndetësisë i duhet kushtuar vëmendje financiare. Që nga financimi , më pas mirëmenaxhimi, mosabuzimi e më rradhë. Për sa i përket strategjisë , mbulimit universal, kapilarizimit të sistemit shëndetësor, sistemi shëndetësor parësor, ka ulje. Gjetja numër 5, e raportit të TFL; financimi nga 11.4%, është në 9.1 përqind në sistemin parësor, që do të thotë heqje vëmndje nga ky sektor”, thekson Alimehmeti. SFIDAT E SEKTORIT Kritike për mbrojtjen e shëndetit të publikut mbetet personeli i mirëtrajnuar dhe me burime të përshtatshme.

Ilir Alimehmeti: “S’kemi menduar për geriartrinë dhe nuk njihet as si fjalë. (degë e mjekësisë që merret me trajtimin e sëmundjeve ekzistuese tek të rriturit moshuar). Numri i mjekeve të familjes është më pak se 1000, 960 rezultojnë të licensuar. Nëse nuk planifikojmë bazuar në evidenca reale, nëse nuk krijojmë protokolle mjekimi, nuk shërojmë asnjë nga këto plagë.” Shqetësuese për sistemin shëndetësor mbeten largimet në rradhët e bluzave të bardha, të cilat sjellin mungesa, sidomos në zonat rurale. “Ne kemi një numër të madh të profesionistëve që janë të fokusuar në Tiranë dhe kemi një mungesë të theksuar në zonat rurale. Këtu doja të theksoja që duhet të punojmë kryesisht në infermirë , të cilët duhet të bëjnë përshkrimin e medikamenteve. Pra duhet të ndryshojë strategjia. Duhet të shikojmë një ekip shëndetësor, ku infermieri bën përshkrimin e medikamenteve, sidomos të sëmundjeve kronike. Ky do të ishte kujdes më i shtuar për zonat rurale dhe do të ishte një rritje e rolit të lidershipit të infermierëve në lidhje me fuqizimin e tyre në dhënien e shërbimeve shëndetësore”, theksoi gjatë fjalës së saj Blerina Duka-PRESIDENTE E URDHRIT TË INFERMIERËVE. Edhe znj. Duka theksoi se duhet të rishikohen politikat shëndetësore në lidhje me geriatrinë, pasi jemi një popullsi në plakje. Të moshuarit mbi 65 vjeç nga 11% ,sipas censusit të vitit 2023 rezulton se ka arritur në 20%. Blerina Duka:“Janë katër sfida në të cilat duhet të punohet më shumë. Ne duhet të punojmë kryesisht me geriatrinë. Është një element shumë i rëndësishëm sepse jemi një popullsi në plakje. Duhet të shikojmë shumë shëndetin mendor, urgjencën dhe pediatrinë. Këto janë katër fushat që duhet të punohet kryesisht për të ndërtuar një program të specializuar për sfidat e mëtejshme.” Sistemi shëndetësor duhet të kthehet në prioritet të çdo qeverie, si një sistem jetik, duke hartuar dhe zbatuar politika të bazuara në analiza dhe të konsultuara me të gjithë aktorët, që kanë në fokus ofrimin e shërbimeve cilësore në kohë dhe të përballueshme, veçanërisht për grupet vulnerable.

KONTRATAT KONCENSIONARE – SHUMË PARA, PAK PËRFITIME Vitet e fundit shoqata Together For Life ka prodhuar disa raporte të fokusuara në monitorimin e eficencës së shpenzimeve publike në sektorin e shëndetësisë. Në të gjitha këto raporte është ngritur shqetësimi rreth nivelit të ulët të buxhetimit të sektorit të shëndetësisë dhe menaxhimit joefikas të fondeve të alokuara vit pas viti. Raportet janë ndalur në analizimin e koncesioneve të tipit PPP që janë aplikuar në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, ku është evidentuar mungesë e theksuar transparence dhe llogaridhënieje. TFL ka qenë ndër të parat që ka ngritur që në fillim shqetësimin, më pas të bazuar edhe në gjetjet e raporteve për problematikat e krijuara nga aplikimi i këtyre koncesioneve. Raportet kanë evidentuar se kontratat PPP janë lidhur pa studime të qarta fizibiliteti dhe analize kosto-përfitim për buxhetin dhe marrësit e shërbimit. Po ashtu shqetësues është konsideruar fakti që kompanitë koncesionare nuk janë ‘trazuar’ nga institucionet përgjegjëse gjatë implementimit të koncesioneve dhe disa prej kompanive nuk kanë dorëzuar bilancet financiare.

Aplikimi i TVSH-së në kundërshtim me ligjin dhe pagesat për shërbime të pakryera, si në rastin e Check-Up dhe Dializës, përbëjnë shkelje serioze që kanë ngarkuar buxhetin publik. Për më tepër, korrupsioni dhe shkeljet në prokurime janë klasifikuar si raste të nivelit të lartë nga Transparency International dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raportet tregojnë manipulime në raportime, si në rastin e koncesionit të Sterilizimit, dhe favorizime të kompanive pa përvojë në sektor. Investimet e koncesionarëve janë minimale, duke përfaqësuar vetëm 9% të të ardhurave të tyre, ndërsa përfitimet e tyre janë të mëdha. Mungesa e strukturave për monitorimin e kontratave dhe kanalizimi i fondeve publike në shërbime jo prioritare kanë dëmtuar financat e sektorit të shëndetësisë. PPP-të përbëjnë një barrë të rëndë për buxhetin publik, duke marrë një pjesë të madhe të fondeve që mund të ishin përdorur për shërbime prioritare dhe investime në infrastrukturë shëndetësore. Këto problematika theksojnë domosdoshmërinë për reforma të thella në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e PPP-ve në sektorin e shëndetësisë.

Një nga gjetjet e raportit “Kostoja totale e buxhetit të Shëndetësisë për mbulimin e pagesave të planifikura për kontratat koncensionre” evidenton se dëmi i pjesshëm ekonomik nga koncesionet në shëndetësi shkaktuar deri në fund të vitit 2021 bazuar në të dhënat e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe nga Ministrisë së Financave arrin në rreth 5,6 miliardë lekë ose 47.5 milionë euro. Kjo shumë është sa 25% e shumës totale të akorduar gjithsej për këto koncesione deri në fund të vitit 2022 (projeksion). Shuma prej 47,5 milionë eurosh do të ishte e mjaftueshme për ndërtimin e një spitali të ri. Transparency.comTransparency.com

← Alarm për përhapjen e meningjitit në Durrës, TFL: Futja e vaksinës në kalendarin kombëtar të vaksinimit domosdoshmëri
Nga mjeku tek farmacia: Udhëtimi i detyruar i pacientit shqiptar →

Instituti për Zhvillim dhe Inisiativa Qytetare (IZHIQ) është një organizatë jofitimprurëse e cila ka në fokus të saj promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut

IZH&IQ

  • Kreu
  • Rreth Nesh
  • Na kontaktoni
  • Lajmet e fundit

Kërko

Informacione

  • Aktivitete
Bashkohu me ne!
Të gjitha të drejtat e rezervuara © Instituti për Zhvillim dhe Inisiativa Qytetare, 2022
sqAlbanian
sqAlbanian en_USEnglish