18 Shk

Rritet çmimi i naftës dhe benzinës në Shqipëri

Spread the love

Çmimi i naftës në Shqipëri po shënon rekorde stratosferike, të cilat janë duke dhënë efekt negativ në ekonomi. Qytetarët shqiptarë po paguajnë aktualisht nga 190 deri në 198 lekë litrin e naftës, gjë që po shtrenjton koston e jetesës. Rritja e çmimit të naftës ka dhënë impakt negativ në zhvillimin e biznesit, kompanitë prodhuese dhe në bujqësi. Vendi ynë renditet në vendet me çmimin më të lartë të karburanteve për arsye se mbi çmimin e tyre aplikohen një sërë taksash, të cilat të gjitha së bashku i kushtojnë importuesit mbi 100 lekë për litër. Dukuria e ngritjes së çmimeve në të gjitha produktet ka mbërthyer dhe çmimet e naftës, të cilat s’po njohin kufi. Në të gjitha shtetet europiane vihet re një rritje e konsiderueshme e çmimit të karburanteve krahasuar me 2021.

Renditja e Shqipërisë

Shkaqet kryesore: janë rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare (treguesi Brent), rritja e inflacionit si dhe rënia e furnizimit të vendeve Europiane nga OPEC (Organizata e Shteteve Eksportuese të Naftës). Në Shqipëri, në muajin Janar 2022 vihet re një rritje e çmimit të naftës me 7 Lekë/Litër apo 3.8% më shumë krahasuar me muajin Dhjetor 2021. Sipas Global Petrol Price, aktualisht çmimi mesatar i naftës në të gjithë botën është 123.08 Lekë/Litër apo 1.02 Euro/litër; çmimi mesatar i benzinës është 133.43 Lekë/litër apo 1.10 Euro/litër, ndërsa çmimi i gazit të lëngshëm është 83.37 Lekë/Litër apo 0.69 Euro. Aktualisht, Shqipëria bën pjesë në 19 shtetet me çmimin më lartë të naftës në botë, rankuar më shtrenjtë se Spanja, Luksemburgu, Greqia, Austria dhe Hungaria. Pra një qytetar shqiptar paguan 192 Lekë/Litër për naftën, 194 Lekë/Litër për benzinën dhe 93 Lekë/Litër për gazin e lëngshëm. Sipas të dhënave, 5 vendet me çmimin më të ulët janë Venezuela, Irani, Arabia Saudite, Siria dhe Algjeria, të cilat konsiderohen si vende prodhuese të naftës ndërsa vendet me çmimin më të lartë është Hong Kong me 250.69 Lekë/liter, ndjekur më pas nga Suedia me 248.74 Lekë/litër, vende këto me nivel të lartë jetese.

Krahasuar me vendet e Rajonit, Shqipëria është shteti me çmimin më të lartë të naftës dhe të benzinës, ndjekur nga Serbia me çmimin e naftës 185.24 Lekë/Litër dhe çmim benzine 175.97 Lekë/Litër. Kosova mbetet shteti me çmimin më të ulët të naftës dhe benzinës krahasuar me vendet e rajonit, respektivisht me çmimet 121 Lekë/litër (nafta) dhe 127.05 Lekë/Litër (benzina). Ndërsa sa i përket produktit të gazit, çmimin më të lartë në Rajon e ka Mali i Zi me 106.8 Lekë/litër, ndjekur nga Serbia me 96.68 Lekë/litër, Rumania me çmim 93.3Lekë/Litër dhe Shqipëria me çmim 93 Lekë/Litër. Ndërsa Kosova ka çmimin më të ulët të gazit me vlerën 61.71 Lekë/Litër.

Arsyet e rritje së çmimeve

Arsyet se përse Shqipëria renditet me çmimin më të lartë të rajonit, lidhen me nivelin e taksave që aplikohen mbi karburantet, ndryshimet fiskale të miratuara nga Këshilli i Ministrave, si dhe Inflacioni. Konkretisht shqiptarët paguajnë 5 lloj taksash mbi karburantet duke zënë kështu 52.2% të çmimit final të naftës, vlerë kjo e llogaritur për muajin Janar 2022. Aktualisht për 1 litër naftë, konsumatorët paguajnë 38 Lekë Akcizë për karburante, 27 Lekë/litër Taksë Qarkullimi dhe 3 Lekë/litër Taksë Karboni. Kësaj vlere i shtohet TVSH prej 20%, e cila po ashtu rëndon konsumatorin në vlerën rreth 32 Lekë/litër, duke bërë totalin rreth 100.2 Lekë/litër vetëm taksa, pa marrë në konsideratë kosto të tjera të pikave të karburantit që operojnë në Shqipëri. Vlera e akcizës e përllogaritur prej 38 Lekësh, është vlerësuar duke indeksuar akcizën prej 37 Lekë me normën e shpallur të inflacionit të vitit 2020 plus normën e rezultuar të shpallur të inflacionit deri në fund të 9-mujorit të vitit 2021. Ky indeksim përcaktohet në ligjin e akcizave të ndryshuar, i miratuar nga Këshilli i Ministrave me ligjin 114/2021. Në këtë ligj, përcaktohet se akciza e llogaritur indeksohet çdo dy vjet në masën e normës zyrtare të inflacionit për dy vitet paraardhëse shpallur nga INSTAT-i, me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve të tij për të cilat akciza aplikohet sipas kalendarit specifik të përcaktuar. Megjithatë për vitin 2022, indeksimi do bëhet duke marrë në konsideratë normën e shpallur të inflacionit të vitit 2020 plus normën e rezultuar të shpallur të inflacionit deri në fund të 9-mujorit të vitit 2021. Ky ndryshim ka filluar efektet prej 1 Janarit 2022, gjë e cila reflektohet edhe në rritjen e çmimeve të karburanteve që paguajnë akcizë. Krahasuar me muajin Dhjetor 2021, kemi një rritje të totalit të taksave mbi karburantet në masën 2.4 Lekë për Litër. Në total, vihet re se rritja e akcizës dhe rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare kanë ndikuar në rritjen prej 9.9 Lekësh për litër apo 6.5% në muajin Janar krahasuar me muajin Dhjetor. / Burimi: SOT

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *