10 Shk

Histori biznesi: Liljana Voka (Muhurr, Dibër)

Spread the love

Liljana Voka është një nga gratë e trajnuara nga Instituti per Zhvillim dhe Iniciativa Qytetare në kuadër të Projektit “Fuqizimi i rolit të gruas në zonën e Dibrës & promovimi i produkteve vendase” me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë U.S. Embassy-Tirana

Para 30 vitesh, Liljana u martua në një familje blegtorësh të njohur në Muhurr të Dibrës. Ajo solli në jetë katër fëmijë dhe bashkë me rritjen e fëmijëve, u angazhua në mbështetjen e familjes së bashkëshortit për të ringjallur traditën e hershme të blegtorisë. Selmani, bashkëshorti, për rreth 25 vite e ndau jetën mes emigracionit në Greqi dhe punës për rimëkëmbjen e ekonomisë familjare në Muhurr. Ndryshimi i sistemit e gjeti familjen në varfëri ekstreme si të gjitha familjet shqiptare. Vetëm një lopë ishte e gjithë ‘pasuria’ që ushqente familjen. Demokracia hapi mundësi të reja. Familja Voka filloi ditë pas dite të krijonte tufën e bagëtisë dhe të merrej me përpunimin e qumështit. Fëmijët rriteshin dhe bashkë me ta edhe ekonomia blektorale e ngritur nga familja.

Pas rreth 20 vitesh, tashmë familja Voka ka një tufë prej 150 krerë dhish dhe 50 delesh. Ushqimin për bagëtinë e prodhojnë vetë, duke mbjellë pjesën më të madhe të 50 dylymëve me bimë foragjere. Selmani në Greqi ka punuar në ferma dhe fabrika të mëdha të përpunimit dhe prodhimit të bulmetit për eksport dhe e di rëndësinë e rujtjes së cilësisë së produktit, duke filluar nga lënda e parë që duhet të jetë 100% bio. “Që bulmeti të jetë i çertifikuara bio, duhet që toka që mbillet me ushqimin e bagëtitë të ketë të paktën tre vite  e pastër nga plehrat kimike”, është mësimi i parë që ka sjellë Selmani nga eksperienca në Greqi. Qumështi i siguruar nga bagëtia tashmë nuk mbulon vetëm nevojat e familjes për bulmet, ndaj familja Voka vite më parë vendosi të ngrejë një baxho aty në Muhurr. Gjithçka u mundësua me të ardhurat e krijuara nga bashkëshorti në emigracion dhe nga puna dhe angazhimi i të gjithë anëtarëve të familjes në kujdesin për bagëtitë. Në dimër bagëtitë i mbajnë në stallën që kanë ngritur në Muhurr, ndërsa në verë i çojnë në kullota në bjeshkët e Runjës, përballë Korabit. Dy djemtë e mëdhenj të familjes kanë emigruar, njëri në Angli dhe tjetri në Itali. Djali i vogël ndihmon me bagëtitë. Ai, së bashku me fejuarën e tij, e cila studion për agronomi në shkollën profesionale të Peshkopisë konsiderohen si ‘trashëgimtarët’ e biznesit.

Prej vitesh tashmë dita e Liljanës fillon në orën 4:30 të mëngjesit me mjeljen e bagëtive, vazhdon me angazhimin në baxho dhe përfundon në mesnatë në punët e shtëpisë. Por, Liljana nuk është e vetmja ‘femër’ e dedikuar në biznesin e familjes. Vajza e vetme e çiftit, Rebeka, e cila vazhdon studimet në shkollën e mesme të Peshkopisë konsiderohet si menaxherja e baxhos. Përveç mësimevedhe ndihmës që jep mamasë në punët e shtëpisë, Rebeka i kushtohet disa orë në ditë biznesit të familjes. Ajo merret me proceset ‘estetike’. Familja i ka besuar ndër të tjera edhe ambalazhimin e produkteve. “Sa e kemi këtu në shtëpi, e kemi menaxhere, pastaj do ta çojmë në Tiranë të studiojë për mjeke”, krenohet çifti.

Familja Voka nuk e njeh pushimin dhe nuk ka kohë të ankohet për lodhjen. Tashmë ata kanë filluar t’i shohin frutet e lodhjes së tyre. Të ardhurat që krijojnë nga produktet e baxhos janë të mira dhe arrijnë të mbulojnë jo vetëm kostot e produkteve, por edhe të përmbushin nevojat jetike të familjes. Qumështin e dhisë e përdorin për prodhimin e djathit dhe të gjizës, ndërsa qumështin e deles për kos. Produktet e Baxhos Muhurr janë të njohura në zonë dhe klientët që e njohin dhe e vlerësojnë cilësinë e produkteve të tij shkojnë vetë për të blerë djath, kos dhe gjizë. Kur i pyet nëse mendojnë të zgjerojnë tregun e shitjes, bashkëshortët Voka rrëfejnë se e kanë provuar më parë, por kanë hasur në disa probleme me shpërndarësit. Megjithatë kjo nuk do të thotë që nuk është në planet e tyre furnizimi i tregut jashtë Dibrës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *