“Mjeku që më lëshoi recetën e ilaçeve, e fotografoi atë, duke më krijuar bindjen se ishte
lidhur paraprakisht me depon farmaceutike dhe merrte përqindje nga ilaçet e përshkruara
në recetë”, dëshmon një pacient i cili tregon se shumë herë është orientuar nga mjeku që
t’i marrë medikamentet e përshkruara në recetë në një farmaci të caktuar.”
Ky nuk është një rast i izoluar. Sipas të dhënave të ofruara nga organizata Together for
Life, bazuar në një anketë online me 1000 të anketuar në Shqipëri, evidentohet se 67%
e personave kanë deklaruar se janë orientuar nga mjeku për t’i marrë medikamentet në
një farmaci të caktuar, nga të cilët 48% janë orientuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe
19% në mënyrë të tërthortë. Vetëm 28% e pjesëmarrësve në anketë kanë deklaruar se
nuk janë orientuar asnjëherë nga mjeku, ndërsa 4% nuk janë të sigurt ose nuk e kujtojnë.
Ky fenomen, i cili ngre pikëpyetje serioze për etikën profesionale dhe konfliktin e interesit
në sistemin shëndetësor, duket se nuk është thjesht një fenomen i izoluar, por një model
funksional që prodhon përfitime të njëanshme në kurriz të pacientit.
Nga përkujdesja te presioni i heshtur
Një tjetër pacient, i ardhur nga Pogradeci për të marrë shërbim në Qendrën Spitalore
Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, tregon për përvojat e tij të përsëritura me orientimin
drejt një farmacie të vetme nga mjeku që e trajton prej vitesh për sëmundjen e tij:
‘Ne nga Pogradeci, sa herë bëjmë vizitën te doktori, na thonë ‘shko merre në filan farmaci
ilaçin, mi sill t’i shoh edhe njëherë unë”. Një herë i mora medikamentet në një farmaci
tjetër nga ajo që më kishte sugjeruar mjeku. Pagova për to 113 mijë lekë të vjetra. Kur
shkova tek mjeku t’i tregoja medikamentet që sapo i kishte blerë, ai më tha se duhet t’i
kisha marrë tek farmacia që më kishte sugjeruar sepse ato që kisha marrë nuk bënin.
‘Shko ktheji atje ku i ke marrë dhe merri tek farmacia që të kam thënë. ’ më urdhëroi.
Ashtu bëra. Ishin të njëjtat medikamente, me të njëjtin paketim. ‘Nuk janë njëlloj’ – më tha
mjeku, ‘mos shih kartonin, ne njohim kokrrat që ka brenda.’
Pacientët ndihen të detyruar të ndjekin udhëzimet e mjekut jo për shkak të besimit në
kujdesin profesional, por për shkak të frikës se mjeku mund të refuzojë t’i trajtojë, nëse
nuk ndjekin “udhëzimet” për blerjen e barnave. Në këtë kontekst, shëndeti shndërrohet
në një lojë pushteti, ku mjeku mban kontrollin mbi çdo hallkë të trajtimit.
Megjithëse orientimi i pacientëve nga mjekët drejt farmacive të caktuara përbën një
praktikë me pasoja të diskutueshme etike dhe ligjore, një pjesë e konsiderueshme e
pacientëve e pranojnë dhe madje e justifikojnë këtë fenomen si një formë “garancie
cilësie”. Sipas këtyre pacientëve, udhëzimi i mjekut nuk është i motivuar nga përfitimi
personal, por nga dëshira për t’i drejtuar ata drejt farmacive të besueshme, ku mund të
gjejnë barnat e duhura, efektive dhe në gjendje të mirë.
“Po, sigurisht që mjeku më ka sugjeruar farmacinë ku gjenden ilaçe cilësore. Si do të
shërohem me ilaçe të skaduara? Ato që janë në rimbursim janë si gëlqere, nuk bëjnë
asnjë efekt,” shprehet një pacient i moshuar, i cili shton se nuk i blen medikamentet e
rimbursuara për shkak të mungesës së besimit tek cilësia e tyre. Ai thekson se çmimin e
barnave e përballon me ndihmën financiare që merr nga e bija në emigracion.
Ky qëndrim, ndonëse i ndërtuar mbi përvojë personale dhe perceptime të përhapura, nuk
mund të ligjërojë një praktike që cenon të drejtën e pacientit për zgjedhje të lirë dhe barazi
në qasjen ndaj barnave. Mungesa e besimit në sistemin e rimbursimit dhe në kontrollin e
cilësisë së barnave tregon për një dështim institucional, i cili po shfrytëzohet nga aktorë
të caktuar për përfitime private. Në këtë mënyrë, orientimi “si kujdes” po shndërrohet në
një normë të rrezikshme që rrit pabarazitë dhe rrezikon shëndetin publik.
Farmacistja S.G., e vetëdijshme për këtë realitet, pranon se “ky fenomen është i vjetër sa
vetë bota”, dhe sugjeron që zgjidhja mund të gjendet vetëm në fuqizimin e legjislacionit
për trajtimin e recetës dhe në përfshirjen e profesionistëve në tryezat vendimmarrëse.
Ndërkohë, një farmacist pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr. 3 në Tiranë rrëfen se kjo
praktikë i ka shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në punën e tij:
“Mjekët shkojnë deri aty sa më bëjnë anti-reklamë. U thonë pacientëve se ilaçet që
ndodhen në farmacinë time janë të skaduara. Në fakt, barnat janë të njëjtat – vijnë nga
e njëjta depo farmaceutike.”
Ky pohim i rrezikshëm thekson përmasat agresive të konkurrencës jo të ndershme, ku
një mjek jo vetëm që orienton, por edhe dënon farmacistët që nuk janë pjesë e
“marrëveshjes”.
Nevoja për rregulla dhe mbikëqyrje reale
Praktika e orientimit të pacientëve drejt farmacive të caktuara përmes ndikimit të
drejtpërdrejtë apo nënkuptuar të mjekëve përbën shkelje të rëndë të etikës profesionale
dhe cenon të drejtën e pacientit për zgjedhje të lirë dhe trajtim të barabartë.
Ky fenomen nuk është thjesht një shkelje administrative apo një “marrëveshje nën
rrogoz”, por pasqyrë e krizës morale në sistemin shëndetësor, ku pacienti shihet si mjet
fitimi ndërsa mjeku shndërrohet në ndërmjetës tregtar.
Fenomeni nuk ka kaluar pa u vënë re nga institucionet mbikëqyrëse. Alfred Leskaj,
përfaqësues i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), deklaroi gjatë një tryeze të organizuar
nga TFL se po hetohet me prioritet ekzekutimi i recetave elektronike dhe organizimi i
listës së barnave të rimbursueshme nga mjeku i familjes dhe farmacitë me kontratë me
FDSKSH.
“Një pikë me risk të lartë është ekzekutimi i recetave elektronike pranë farmacive të
kontraktuara, që nuk kontrollohet nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm
Shëndetësor,” deklaroi Leskaj.
KLSH ka rekomanduar që pacientëve t’u jepet informacion i qartë për barnat e
përshkruara përmes shënimit të tyre në librezën shëndetësore, si një mënyrë për të
forcuar transparencën dhe për të rritur kontrollin e qytetarit mbi trajtimin e vet.
Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, përmes këshilltares
Silvana Ramadani, ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë
dhe Mbrojtjes Sociale, është duke u rishikuar ligji për barnat dhe shërbimin farmaceutik,
me synim të qartë: lehtësimin e qarkullimit të barnave, forcimin e gjurmueshmërisë dhe
rritjen e aksesit të qytetarëve ndaj medikamenteve të nevojshme.
Ky rishikim edhe pse konsiderohet një hap i rëndësishëm, është i pamjaftueshëm nëse
nuk shoqërohet me adresimin e plotë të fenomenit të orientimit të pacientëve drejt
farmacive të caktuara, një praktikë që ka marrë përmasa shqetësuese dhe që po minon
besimin në sistemin shëndetësor publik.
Vetëm përmes një qasjeje të gjithanshme dhe të thellë ndaj këtij fenomeni, që përfshin
aspektet etike, ligjore, institucionale dhe njerëzore, mund të garantohet një sistem
shëndetësor i drejtë dhe me integritet.
Sepse në fund të fundit, shëndeti nuk është një ‘mall tregu’, por një e drejtë dhe një
përgjegjësi shoqërore. Trasparency.com