Progres raporti i KE: Shqipëria me nivelin më të lartë në Europë të pagesave nga xhepi për shëndetin

Spread the love

Komisioni Europian ka publikuar të martën (4 nëntor) raportin e progresit të Shqipërisë,
ku ndër të tjera përmendet edhe sektori i shëndetësisë.

Sipas raportit, Shqipëria ka nivelin më të lartë të pagesave nga xhepi në Evropë, me
qytetarët që mbulojnë 59.7% të kostove totale shëndetësore.
Gjithashtu dokumenti vë në dukje se shpenzimet publike për shëndetësinë nga ana e
qeverisë kanë mbetur nën 10%.

“Në vitin 2024, shpenzimet publike për shëndetësinë përbënin rreth 2.8% të PBB-së,
ndërsa shpenzimet totale qeveritare për shëndetësi mbetën nën 10%, pavarësisht rritjes
nominale.
Shqipëria ka nivelin më të lartë të pagesave nga xhepi në Evropë, qytetarët mbulojnë
59.7% të kostove totale shëndetësore.
Vendi po përballet me plakje të popullsisë, si pasojë e uljes së lindshmërisë, rritjes së
jetëgjatësisë dhe emigracionit.
Në fushën e e-shëndetësisë, është ngritur një sistem elektronik për mbledhjen dhe
raportimin e të dhënave mjekësore (HIS).
Legjislacioni për substancat me origjinë njerëzore është në proces përafrimi me acquis
të BE-së, por nuk ka pasur përparim për produktet mjekësore humane dhe veterinare,
pajisjet mjekësore, vlerësimin e teknologjive shëndetësore, të drejtat e pacientëve në
kujdesin ndërkufitar, apo kozmetikën”, thuhet në raport.

Çështje të tjera shëndetësore
Po ashtu në raport thuhet se ekzison një plan kombëtar për kontrollin e kancerit dhe
aktualisht janë aktive tre programe depistuese: për kancerin e zorrës së trashë, gjirit dhe
qafës së mitrës, por vë në dukje se ende nuk është krijuar regjistri kombëtar i kancerit.
“Në fushën e shëndetit mendor, zbatohet Plani i Veprimit 2023–2026, por kërkohet
zgjerim i shërbimeve komunitare. Kequshqyerja mbetet problem kritik, ndërsa obeziteti
tek fëmijët dhe anemia tek gratë shtatzëna janë shqetësuese’ theksohet ndër të tjera në
raportin e KE.

Barazia në shëndet dhe antikorrupsioni
Në raport thuhet se, plani kombëtar 2021–2025 për barazinë, përfshirjen dhe
pjesëmarrjen e romëve synon përmirësimin e aksesit në shërbime cilësore shëndetësore,
por zbatimi mbetet i dobët.
“Nuk ka zhvillime të reja për aksesin e grave në shëndet, përfshirë shëndetin seksual dhe
riprodhues”, thekson raporti.
Në fushën e antikorrupsionit, sipas progres raportit të KE institucionet e mbikëqyrjes së
tregut kanë rregulla për transparencë, etikë dhe konflikt interesi, ndërsa sektori i
shëndetësisë është identifikuar si sektor i cenueshëm në draftin e Strategjisë Kombëtare
Kundër Korrupsionit 2024–2030, por ende mungon një vlerësim i plotë i rrezikut dhe masa
specifike për ta adresuar.
Rekomandimet
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk u zbatuan dhe mbeten të vlefshme. Në
vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti:
→ të bëjë përparim në përafrimin e ligjit të konsumatorit me acquis më të fundit të BE-së
për të adresuar zhvillimet në këtë fushë;
→ të përfundojë përafrimin me acquis të BE-së mbi produktet medicinale për përdorim
njerëzor dhe veterinar, pajisjet mjekësore dhe kontrollin e duhanit;
→ të rrisë burimet financiare dhe njerëzore në sektorin e shëndetësisë, konkretisht në
kujdesin shëndetësor parësor dhe përgatitjen për emergjenca shëndetësore ndaj të gjitha
rreziqeve, dhe të garantojë akses të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore për
popullatat vulnerabël, në veçanti gratë dhe vajzat që i përkasin këtyre grupeve.
Dokumenti i KE-së për progresin e Shqipërisë, e cila aspiron të aderohet në Bashkimin
Europian, përmban të dhëna me problematika që janë identifikuar dhe adresuar gjithashtu
nga Organizata Together for Life, e cila prej më shumë se një dekade monitoron politikat
dhe shërbimet shëndetësore në vend.

Together for Life ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme shqetësimet për nivelin e lartë të
pagesave nga xhepi, mungesën e financimit publik dhe vështirësitë në aksesin ndaj
shërbimeve cilësore, veçanërisht për grupet më të cenueshme të popullsisë.
Përmes studimeve, raporteve dhe advokimit publik, Together for Life synon të nxisë
reforma konkrete në sistemin shëndetësor shqiptar dhe të garantojë më shumë
transparencë dhe barazi në kujdesin shëndetësor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *