Prokurimet pa garë në shëndetësi: Humbje për buxhetin, rrezik për pacientin

Spread the love

Sistemi i prokurimeve publike në sektorin e shëndetësisë, i menaxhuar kryesisht nga
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka njohur një përkeqësim të ndjeshëm
gjatë dekadës së fundit. Megjithëse në teori procedurat bazohen në një kuadër ligjor që
synon përdorimin efikas të fondeve publike, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe
shmangien e abuzimeve, realiteti i vitit 2024 tregon një panoramë krejt tjetër: mungesë
transparence, konkurrencë të dobët dhe përqendrim të skajshëm të kontratave në duart
e pak operatorëve.

2024, rreth 1/3 e procedurave të prokurimeve të kryera nga Ministria u anuluan
Institucionet shëndetësore gjatë vitit 2024 kanë realizuar 1,514 procedura prokurimi,
bazuar në të dhënat e Sistemit Elektronik të Prokurimeve, me një vlerë totale prej 26.5
miliardë lekësh pa TVSH, nga te cilat vetëm 1,014 procedura janë finalizuar me njoftim
fituesi, me një fond limit prej 20.2 miliardë lekësh. Vetëm nga MSHMS janë realizuar 392
procedura përfshirë blerjen e barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve të
specializuara, nga të cilat 31% (122 procedura) rezultojnë janë anuluar. Shkaqet kryesore
të anulimit bazuar në informacionin e siguruar në rrugë zyrtare janë për shkak të
gabimeve ose dokumentacioneve të stafit 98 procedura (80%), tregues ky alarmant që
nxjerr në pah në mënyrë të veçantë mungesën e kapaciteteve profesionale të stafit
përgjegjës për hartimin e dokumenteve të tenderit, ndërsa pjesa tjetër për shkak të
mungesës të ofertave të papërshtatshme ose të mungesë së ofertave
Kjo normë e lartë anulimesh është tregues mungesë të trajnimeve të rregullta për stafin
përgjegjës për prokurimet publike në Ministri, dobësi të theksuara në kontrollin e
brendshëm cilësor, mekanizmat e dobët të monitorimit dhe përgjegjësisë institucionale.

Mungesë e theksuar konkurence
Nga një analizë e detajuar e procedurave prokuruese të zhvilluara nga MSHMS gjatë vitit
të kaluar – realizuar nga ekspertët, konstatohet nivel shumë i ulët i konkurrencës, ku
numri mesatar i operatorëve ekonomikë për çdo procedurë rezulton vetëm 1.3, pra në
shumicën e rasteve kemi ose vetëm një ofertues gjë që krijon perceptimin e një gare pa
garë dhe që ndikon drejtë për drejtë në vendosjen e kushteve të pafavorshme
kontraktuale mes institucionit publik dhe operatorit privat dhe ka ndikim negativ në
financat publike pasi nuk rezulton me ulje të çmimit të blerjes së produktit/ dhe ose
shërbimit me çmim më të volitshëm.

Vetëm 2% rezulton ulja mesatare e çmimit nga fondi limit gjatë 2024, krahasuar me 8.57%
në vitin 2014. Kjo tregon një zhvendosje permanente drejt një tregu të centralizuar, me
çmime fituese afër pragut të fondit limit, çka lë të kuptohet për garë të simuluar apo
përfitues të paracaktuar.

2014-2024, regres në prokurimet në sektorin e shëndetësisë
Përtej nivelit të ulët të konkurrencës që karakterizon prokurimet publike në sektorin e
shëndetësisë, një tjetër dukuri shqetësuese që del në pah është koncentrimi i lartë i
fituesve të tenderëve. Të dhënat e vitit 2024 tregojnë se 72% e tenderëve janë fituar
nga vetëm 10 kompani, duke krijuar një panoramë të ngushtë të aktorëve që përfitojnë
nga fondet publike të destinuara për këtë sektor jetik.
Në kontrast të qartë me këtë situatë që reflekton përqendrim dhe centralizim, në vitin
2014 rezultonin fitues 68 operatorë të ndryshëm ekonomikë. Shpërndarja më e gjerë
e kontratave jo vetëm që nënkupton treg më të hapur dhe më dinamik, por krijon edhe
kushte më të mira për konkurrencë të vërtetë, transparencë dhe optimizim të çmimeve
dhe cilësisë së shërbimeve.

Në letër, procedurat e prokurimit janë të hapura për pjesëmarrjen e operatorëve të huaj
dhe për kompani të ndryshme vendase, por vihet re se, në praktikë, gara është e
dominuar nga një rreth i ngushtë subjektesh. Kjo ngre dyshimet se këto operatorë
që rezultojnë pothuaj përherë fitues në tenderat e organizuara nga Ministria e
Shëndetësisë, më shumë se sa për shkak të kapaciteve teknike dhe ekonomike,
përfitojnë falë lidhjeve të tjera me sistemin – duke monopolizuar tregun.
Dominimi i një grupi të vogël kompanish në një sektor të financuar bujarisht nga buxheti
i
shtetit, siç është shëndetësia, nuk është thjesht një çështje statistike, por, në fund të
fundit, ai përkthehet në pasoja konkrete dhe të dëmshme për funksionimin e tregut dhe
interesin publik. Kur kontratat e rëndësishme për barna, pajisje apo shërbime mjekësore
përqendrohen vazhdimisht tek të njëjtët fitues, zhduket mundësia për garë të vërtetë dhe
me të edhe shpresa për oferta më të mira dhe më të leverdishme për shtetin.
Kjo situatë rrit ndjeshëm rrezikun për praktika favorizuese apo procedura të paracaktuara,
të cilat dëmtojnë transparencën dhe minojnë besimin në sistemin e prokurimeve. Për më
tepër, mungesa e konkurrencës e ul ndjeshëm presionin mbi kompanitë për të rritur
inovacionin, për të përmirësuar cilësinë apo për të ofruar çmime më konkurruese. Me fjalë
të tjera, në mungesë të sfidës nga operatorë të tjerë, fituesit e zakonshëm nuk kanë asnjë
nxitje për të bërë më mirë. Dhe në fund, është sistemi shëndetësor dhe vetë qytetarët ata
që paguajnë çmimin e këtij monopoli të heshtur.

Në një sistem ku garantohet konkurrenca e drejtë, fituesit e tenderëve duhet të
ndryshojnë në varësi të cilësisë së ofertës, përvojës dhe kostos. Por kur të njëjtat kompani
fitojnë shumicën dërrmuese të kontratave për vite me radhë, pa ulje të dukshme të
çmimeve dhe me mungesë pjesëmarrjeje nga aktorë të rinj, kjo është një sinjal i qartë
alarmi për mungesë gare reale dhe për rrezik të përdorimit joefikas të fondeve publike.
Përballë kësaj situate alarmante, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet
menjëherë të marrë masa konkrete për rikthimi i diversitetit në tregun e prokurimeve
dhe promovimi i pjesëmarrjes së gjerë mbetet domosdoshmëri, nëse synohet një
sistem shëndetësor më i drejtë, më i qëndrueshëm dhe më transparent. Trasparency.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *