Pacientët me sëmundje tumorale në Shqipëri prej vitesh përballen me vështirësi të
shumta në trajtimin që marrin në spitale, përfshirë mungesën ose vonesat e barnave
jetike. Këto mungesa nuk janë thjesht çështje administrative, ato përbëjnë rrezik të
drejtpërdrejtë për jetën e pacientëve.
Në raportin e tij më të fundit të auditimit tematik mbi disponibilitetin e barnave në spitalet
publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) evidenton problematika të thella në sistemin e
furnizimit me barna antitumorale, duke nxjerrë në pah mangësi strukturore në planifikim,
monitorim dhe mbikëqyrje.
Auditimi, i cili përfshiu Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondin e Sigurimit
të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve
Mjekësore, si dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” zbuloi një situatë
alarmante.
Sipas raportit të KLSH-së, nga 253 barna antitumorale të autorizuara për tregtim në
Republikën e Shqipërisë, 116 prej tyre, ose 46% nuk janë importuar asnjëherë gjatë
periudhës janar 2021 – mars 2025.
Nga auditimi i korrespondencave mes QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe
nga shpjegimet e subjekteve të audituara, nënvizohet në raportin e KLSH-së, rezulton se
Ministria nuk ka ezauruar në mënyrë shteruese mekanizmat monitorues në procesin e
sigurimit të barnave për trajtimin e sëmundjeve tumorale.
Mosaplikimi i penaliteteve: kosto për buxhetin dhe goditje për transparencën
Nga 49 raste vonesash të pajustifikuara në furnizimin me barna antitumorale nga
importuesit farmaceutikë, Drejtoria e Kontrollit e FSDKSH-së ka ndërmarrë masa vetëm
në dy raste. Sipas raportit, penalitetet që duhej të ishin aplikuar për 49 subjektet
përgjegjëse arrijnë në një vlerë totale prej 49 milionë lekësh, por edhe ato nuk janë
zbatuar.
Ky fakt nuk përbën vetëm një mangësi administrative, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në
buxhetin e shtetit. Mosaplikimi i penaliteteve nënkupton humbje të të ardhurave që duhej
të rikuperoheshin në buxhet dhe dobësim të mekanizmave të disiplinës kontraktuale. Kur
kontratat nuk shoqërohen me pasoja financiare për moszbatim, krijohet një precedent i
rrezikshëm që ul standardin e përgjegjshmërisë dhe rrit riskun për abuzime apo
keqmenaxhim të fondeve publike.
Mungesa e një mekanizmi të rregullt dhe funksional monitorimi, siç thekson KLSH, tregon
se sektori i kontrollit ka vepruar në mënyrë selektive dhe jashtë një plani të miratuar. Kjo
cenon parimin e barazisë dhe objektivitetit në zbatimin e ligjit, duke krijuar hapësirë për
trajtim të pabarabartë të operatorëve ekonomikë.
Për më tepër, praktikat joefektive të mbikëqyrjes kanë çuar, në disa raste, në certifikimin
e padrejtë të operatorëve si “pa probleme”, edhe kur janë evidentuar mungesa të zgjatura
barnash në periudha kritike. Kjo dëmton transparencën institucionale dhe besimin publik,
pasi raportimet zyrtare nuk pasqyrojnë realitetin e furnizimit.
Në aspektin financiar dhe të qeverisjes, kombinimi i vonesave të pajustifikuara, mungesës
së penaliteteve dhe monitorimit selektiv krijon një cikël të mbyllur mosllogaridhënieje:
fondet publike përdoren pa garanci për performancë kontraktuale, mekanizmat e kontrollit
dobësohen, ndërsa transparenca dhe besimi në sistemin e furnizimit me barna cënohen
ndjeshëm.
Parregullsi në menaxhimin e barnave – efekt i drejtpërdrejtë mbi pacientët me
tumor
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit evidenton mangësi serioze në mirëadministrimin dhe
dokumentimin e barnave në spitalet publike, ku janë konstatuar receta të dublikuara,
mospërputhje ndërmjet sasive fizike dhe atyre të regjistruara në sistem, si dhe kërkesa
të përsëritura të paplotësuara për të njëjtin pacient.
Këto nuk janë thjesht parregullsi teknike apo administrative. Për pacientët me sëmundje
tumorale, të cilët ndjekin protokolle trajtimi të rrepta dhe ciklike, çdo gabim në dokumentim
apo mosgjurmueshmëri e saktë e barnave mund të çojë në vonesa në terapi, ndërprerje
të trajtimit ose zëvendësime të papërshtatshme të barnave. Në trajtimin onkologjik,
vonesa prej disa ditësh mund të ndikojë në efektivitetin e terapisë dhe në progresionin e
sëmundjes.
Recetat e dublikuara dhe mospërputhjet në sistem krijojnë pasiguri mbi gjendjen reale të
barnave dhe mund të maskojnë mungesa faktike. Ndërkohë, kërkesat e paplotësuara të
përsëritura për të njëjtin pacient tregojnë se sistemi nuk arrin të garantojë vazhdimësinë
e trajtimit, një element jetik për pacientët me tumor.
Dobësitë në menaxhimin, dokumentimin dhe gjurmueshmërinë e barnave rrisin rrezikun
jo vetëm për abuzime apo humbje financiare, por mbi të gjitha për cënim të sigurisë së
pacientëve. Në kontekstin e trajtimeve onkologjike, ku terapitë janë jetike, këto mangësi
përkthehen në rrezik real për përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe ulje të shanseve
për mbijetesë.
Raporti i fundit i KLSH-së dërgon një mesazh të qartë: sistemi i furnizimit me barna,
veçanërisht për pacientët me sëmundje tumorale, kërkon ndërhyrje të menjëhershme
strukturore dhe llogaridhënie institucionale, në mënyrë që askush të mos përballet me
mungesën e një trajtimi që i shpëton jetën. Transparency.com