Marjeta Jusufi është një nga gratë e trajnuara nga IZHIQ në kuadër të Projektit “Fuqizimi i rolit të gruas në zonën e Dibrës & promovimi i produkteve vendase” me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë U.S. Embassy-Tirana
16 vite më parë, Marjeta la qytetin e saj të lindjes, Bulqizën, për t’u martuar në fshatin Pilafe të Dibrës. Jeta nuk ishte e lehtë për familjen e re. Brenda pesë viteve familja u shtua me tre fëmijë. Marjeta tashmë duhet të kujdesej për tre fëmijët dhe familjen prej gjashtë anëtarësh, pasi me ta jeton edhe nëna e bashkëshortit. Gjendja ekonomike jo e qëndrueshme e familjes e detyron bashkëshortin e Marjetës të emigrojë herë pas here në Greqi, Itali, apo Gjermani. Marjeta është e gatshme të kontribuojë edhe ekonomikisht në buxhetin e familjes së saj. Që në fillim ajo fillon të ushtrojë profesionin e parukieres, të cilin e vazhdon edhe sot, por klientët janë të paktë dhe të ardhurat gjithashtu.
Gjithë këto vite Marjeta është luhatur mes dilemës për të emigruar dhe për ta ndërtuar jetën me bashkëshortin dhe fëmijët e tyre larg atdheut, ose të qëndrojë në Pilafe për t’u përqendruar tek realizimin e ëndrrës së përbashkët me bashkëshortin: ngritja e një sipërmarrjeje të qëndrueshme agro-ushqimore në Dibër, në të cilën të ofrojnë produkte natyrale të zonës.
Aftësitë si amvisë të fituara në shtëpinë e vajzërisë ku nëna, vajzë nga Kalaja e Dodës, i ka mësuar të gatuaj të gjitha gatimet dhe produktet tradicionale, janë baza nga ka filluar Marjeta. Në një tavolinë modeste ka vendosur me kujdes produktet e prodhuara prej saj, fli me rende, specat me gjizë, kompostot e frutave, frutat, mjalti, arrat, etj., në panairin e organizuar nga Bashkia Dibër një vit më parë. Produktet u pëlqyen dhe tavolina u boshatis shpejt. Por, edhe pas kësaj, Marjeta e ka të vështirë të gjejë klientë dhe treg të qëndrueshëm. Megjithatë ka vendosur të luftojë dhe të mos tërhiqet. “Së bashku me bashkëshortin kemi vendosur të përpiqemi ta ngrejmë këtu të ardhmen për veten dhe fëmijët. Nëse do të largohemi do të punojmë për të tjerët dhe do të mbetemi emigrantë. Duam të bëhemi zotër të punës dhe të pronës sonë. Këtu Zoti na ka bërë dhuratë natyrën e bukur dhe pasuritë e pafundme.”
Vitet e fundit me vëllanë e Marjetës kanë blerë 24 koshere bletësh që do t’i shtojnë në të ardhmen. Mjaltin aktualisht ua shet të njohurve dhe e ‘reklamon’ tek parukeria. Me rritjen e prodhimit parashikon që do t’i duhet të mendojë për marketingun dhe sigurimin e tregjeve më të mëdha dhe të sigurta. Së bashku me bashkëshortin kanë pak vite që kanë filluar të rrisin edhe numrin e pemëve frutore, vishnje, ftua, mollë. Tërë kujdesi dhe ‘meraku’ i Marjetës sot është që produktet e saj të jenë cilësore dhe natyrale, të pakontaminuara nga pesticide dhe produktet e dëmshme.
Marjeta është një luftëtare e vërtetë dhe ka vendosur të bëhet sipërmarrëse e suksesshme. Në moshën 40-vjeçare ka filluar shkollën e lartë në Tetovë për pedagogji, por edhe atje mendjen e ka tek sipërmarrja që po përpiqet të krijojë. Është e sigurt për cilësinë e produkteve që prodhon, por e di se i nevojitet një certifikim nga institucione ose struktura profesioniste. Sapo dëgjoi për konkursin “Mjalti më i Mirë” që zhvillohet çdo vit të Tetovë, nuk ngurroi të regjistrohej.
“Konkursi në Tetovë dhe trajnimi i ofruar nga IZHIQ erdhën në momentin e duhur për mua që ndodhem në hapat e para të ngritjes së biznesit. Shpresoj që, me ndihmën e stafit profesional të IZHIQ, të arrij të hedh hapa të sigurtë në ngritjen e një biznes familjar agro-ushqimor, duke përdorur mjetet e duhura për promovimin dhe marketimin e produkteve me emër të Dibrës.”