Florina jeton një fshat të bukur, një nga më të bukurit në Shqipëri. Rabdishti ndodhet vetëm pesë kilometra larg Peshkopisë dhe përfundimi së shpejti i rrugës që i lidh bashkë do ta kthejë shumë shpejt edhe në një nga zonat më të vizitura në veriun e vendit. Fshati i gurtë, si një miniaturë e qyteteve pasuri të UNESCO, Beratit dhe Gjirokastrës, mbetet një mister ende i pazbuluar jo vetëm më të huajt, apo shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, por për fat të keq edhe për shumë matjanë dhe Dibranë.
Shkak është bërë rruga pothuaj e pakalueshme dhe braktisja e fshatit . Në këtë fshat Florina ka rreth tridhjetë vite që jeton, që kur është martuar. Jetesa nuk ka qenë e lehte për Floridën dhe familjen e saj. Për dekada të vetmet të ardhura kanë qenë shitja e produkteve agrobujqësore si, fasulet e patatet, kryesisht tek të afërmit dhe e bimëve medicinale që familje i mbledh në bjeshkë. Fëmijët u rritën, njëri nga djemtë është larguar në emigracion, ndërsa tjetri punon në Peshkopi, por ende Florina vazhdon të prodhojë fasule e patate dhe të mbledhi bimë medicinale. Bashkëshorti, një ndërtuas duarartë, ashtu siç janë të gjithë burrat e kësaj anë punon herë pas here në ndërtim edhe larg shtëpisë dhe të ardhurat që krijon nuk janë të qëndrueshme. Në pranverë të dy me Florinën ngjiten në mal.’ Është e vështirë, tregon Florina. Çohemi në katër të mëngjesit dhe kthehemi natën vonë, gjashtë orë bëjmë rrugë çdo ditë, tre për t’u ngjitur dhe tre të tjera për të zbritur. Edhe procesi i mbledhjes nuk është i lehtë.”
Zona e Rabdishtit është e pasur me bimë medicinale dhe pjesa më e madhe e grave në Rabdisht gjatë pranverës shpenzojnë shumë kohë në bjeshkë duke mbledhur bimë medicinale. Për fat, në Peshkopi është një qendër grumbullimi për bimët medicinale. Florina arrin të krijojë çdo vit pak të ardhura nga shitja e bimëve medicinale dhe boronicave, por këto të ardhura janë të pamjaftueshme për të plotësuar të gjitha nevojat e familjes prej katër anëtarësh.
Tashmë që po bëhet rruga dhe pas futjes së Rabdishtit në listën e 100 fshtarave turistikë, Florina ëndërron që banesën e saj prej guri ta kthejë në bujtinë, ashtu siç po sheh edhe bashkëfshatarë të tjerë ta bëjnë. “Edhe sot ne mirëpresim turistë në fshatin tonë, por ata janë të paktë. Ndodh edhe që na trokasin në derë dhe kërkojnë të blejnë produkte që prodhohen në këtë zonë, që është e njohur më produktet cilësore dhe me shije të veçantë. Synimi ynë është që ta kthejmë banesën në shtëpi pritjeje. Dhe ky nuk është thjesht dhe vetëm një dëshirë, kemi filluar të punojmë për këtë. Por duhet kohë dhe para dhe kemi nevojë për këshilla se si ngrihet dhe menaxhohet një bujtinë që pret turistë. Kjo ishte edhe arsyeja që e prita më shumë dëshirë ftesën për të marrë pjesë në aktivitet që po organizon IZHIQ me gratë në Dibër.”