Transplanti i veshkave në Shqipëri – një shërbim jetik që i është lënë peng sektorit privat

Spread the love

“Së shpejti, sëmundjet e veshkave do të zënë vendin e katërt si shkak vdekjeje për
njeriun”, ngre alarmin mjeku nefrolog, Prof. Dr.Alket Karoshi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit rreth 1.2 milionë njerëz në
mbarë botën humbin jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e sëmundjes kronike të veshkave.
Deri në vitin 2040, kjo shifër pritet të rritet në 4 milionë, duke përfaqësuar më shumë se
trefishim të numrit të vdekjeve të lidhura me këtë sëmundje.

Veshkat konsiderohen si organe jetësore në trupin e njeriut, që kryejnë funksione
thelbësore për mirëfunksionimin e tij. Veshkat janë përgjegjëse për filtrimin e gjakut dhe
largimin e mbetjeve toksike përmes urinës, rregullimin e balancës së lëngjeve dhe
elektroliteve, kontrollin e tensionit të gjakut, prodhimin e eritropoetinës që stimulon krijimin
e qelizave të kuqe të gjakut, si dhe aktivizimin e vitaminës D për përthithjen e kalciumit.
Në rast të dëmtimit të rëndë të veshkave, këto funksione jetike dështojnë dhe organizmi
nuk arrin të pastrojë vetë gjakun, duke çuar në grumbullimin e toksinave dhe lëngjeve në
trup. Në këto raste, pacienti ka nevojë për dializë, një trajtim mjekësor që zëvendëson
përkohësisht funksionin e veshkave duke kryer filtrimin e gjakut jashtë trupit. Dializa është
thelbësore për mbijetesën e pacientëve me pamjaftueshmëri të rëndë renale.

Për herë të parë shërbimi i dializës në Shqipëri është ofruar që në vitin e largët 1985.
Prof. Dr.Alket Koroshi kujton se për herë të parë, së bashku me kolegun Prof.Dr. Myftar
Barbullushi, ngritën në vitin 1985 Qendrën e Hemodializës në spitalin civil “Nënë Tereza”,
pas specializimit të kryer në Itali. “E ngritëm në një terren të panjohur, sepse ne nuk kishim
as infermierë të kualifikuar, as inxhinierë, as teknikë që të mirëmbante skedat teknike të
aparaturës së hemodializës”, tregon doktor Koroshi. “Ngritëm një qendër hemodialize me
tre aparatura dhe 12 pacientë dhe ky ishte një sukses i madh për atë kohë, sepse kjo
ishte zanafilla që çoi në krijimin e një eksperiencë dhe u përgatiten mjekët më të rinj, duke
bërë të mundur të hapen pas disa vitesh shumë qendra hemodialize në vendin tonë dhe
praktikisht në çdo qytet kemi nga një qendër hemodialize sot.”

Sot në Shqipëri janë 1,477 pacientë që trajtohen me hemodializë çdo muaj, të cilët, mes
zhurmës së aparaturave presin në heshtje një transplant që do u shpëtonte jetën. Por
shpresa për ta është minimale, pasi ky shërbim nuk është funksional në sistemin e
shëndetit publik, në Shqipëri.

Sëmundjet e veshkave: Një kërcënim i heshtur që prek cilësinë e jetës
Sëmundjet e veshkave janë në rritje në mbarë botën dhe mbeten një alarm për shëndetin
publik. Një epidemi e qetë që po përhapet, ndërkohë ndërgjegjësimi për pasojat mbetet i
ulët.

Për mjekun Koroshi: “Sëmundjet e veshkave janë shumë të përhapura, por shumica e
njerëzve që vuajnë nga sëmundja e veshkave, nuk e dinë, sepse nuk kanë bërë asnjë
ekzaminim. Për të konstatuar, që një individ ka sëmundje të veshkave mjafton që të
analizën e keratinemisë në gjak dhe një analizë urine, sepse veshkat mund të preken nga
sëmundjet metabolike si diabeti dhe pikërisht diabeti është shkaku kryesor i sëmundjeve
të veshkave. Në qendrat e dializës rezulton se gjysma e pacientëve janë diabetikë.
Gjithashtu, hipertensioni arterial, sëmundjet kardiovaskulare, infeksionet, sëmundejet që
bllokojnë rrugët urinare, siç janë gurët,(neuropatitë obstruktive), sëmundjet e trashëguara
të veshkave (veshka policistike , sëmundjet imulogjike, mbeten kërcënim për veshkat.”
Insuficienca renale, që në popull njihet si sëmundja e azotemisë është një sëmundje që
në stadet e para trajtohet me terapi medikamentoze dhe në stadin e pestë trajtohet me
dializë ose me kryerjen e transplantit renal. Shumë pacientë kryejnë dializën për një
periudhë të gjatë kohore me intervale të caktuara zakonisht me regjim 3 herë në javë
kohëzgjatje 4 orë deri në fund të jetës së tyre.

Hemodializa është shumë e mirë, por e mban pacientin lidhur dhe shpesh është vetëm
një zgjidhje provizore dhe jo-afatgjatë për ata me dështim të veshkave. Sa më gjatë merr
trajtim me hemodializë aq më i lartë është rreziku i ndërlikimeve të tjera shëndetësore
përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, infeksionet dhe përkeqësimin e cilësisë së jetës.
Shërbimi i hemodializës financohet nga buxheti i shtetit dhe ofrohet si në sistemin publik
nëpërmjet QSUNT dhe spitaleve rajonale ne të gjithë vendin, ashtu edhe atë privat
nëpërmjet kontratës koncesionare të partneritetit publik-privat.
Bazuar në të dhënat e ofruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vihet
re se rreth 60% e pacientëve (874 pacientë) i kryejnë seancat e dializës në sektorin privat,
ndërsa pjesa tjetër në sektorin publik.

Mjeku nefrolog Altin Koroshi analizon avantazhet dhe disavantazhet e tre mënyrave të
trajtimit të problemeve të renda renale: “Hemodializa është shumë e mirë, por e mban
pacientin lidhur. Një herë në dy-tre ditë duhet të shkosh në spital dhe të kryesh
procedurën, që zgjat 4-5 orë, dhe të shoqërohesh nga një familjar. E gjithë familja mbetet
e ngazhuar dhe pacienti ka jetesë jo -cilësore. Një zgjidhje tjetër është dializa peritoneale,
ku pacienti nuk ka nevojë të shkojë në spital, si filtër shërben membrane peritoneale që
ndodhet në bark. Këtë trajtim pacienti e merr në shtepi, por ka edhe mangësitë e veta,
sepse mundësia e marrjes së një infeksioni është më e madhe dhe mund të krijohen
komplikacione të tjera. Mënyra e tretë është transplanti, është më e mirë se dy të parat,
sepse i sëmuri nuk e ka të nevojshme të shkojë në spital, por edhe jetëgjatësia dhe
rikuperimi është më i mirë. Po të ndiqet mirë dhe me ilaçet e nevojshme mund të jetojë
shumë vite dhe të jetë i aftë të kryejë nevojat e tij personale dhe te jete aktiv në shoqëri.”
Mundësia për një jetë të re, por jo për të gjithë
T.L (pacient): “Kur je në një listë pritjeje, ky është vendi më i keq, sepse rreziku rritet çdo
ditë. Të fusin gjilpërat në krah dhe rri ulur në një karrige për katër orë. Kjo është rutina
çdo dy ditë. Dhe kështu do të jetë, ndoshta deri në fund të jetës sime”

Mjekët nënvizojnë se hemodializa dhe transplanti i veshkave sigurojnë cilësi të ndryshme
jetese, sidomos për femrat dhe moshat e reja që janë aktive. Një pacient i transplantuar
merr një trajtim të vazhdueshëm prej 2-3 medikamentesh dhe mund të vazhdojë
aktivitetin e tij normal. Sidomos për gratë në hemodializë është shumë e vështirë të
planifikojnë shtatzëni, ndërkohë që pas kryerjes së trasplantit të veshkave një grua mund
të sjellë në jetë fëmijë pa problem.

Në vitet ’90, pas rënies së sistemit dhe hapjes së kufijve, shumë shqiptarë të dëshpëruar
dhe të lënë pa zgjidhje, shqiptarët udhëtonin drejt Pakistanit për të blerë organe, kryesisht
veshka. Veshkat ofroheshin nga njerëz që jetonin në varfëri ekstreme, kundrejt një
pagese prej 2-3 mijë euro. Pacientët shqiptare pas sigurimit të organit në mënyrë të
paligjshme dhe që shpesh bëheshin pre e grupeve kriminale ndërkombëtare, u
nënshtroheshin ndërhyrjeve kirurgjikale të fshehta, të paligjshme dhe shpesh të
rrezikshme. Disa prej atyre që kaluan nëpërmjet këtij kalvari ia arritën t’ia dilnin të
mbijetonin. Të tjerë u mashtruan, u lanë rrugëve, e nuk u kthyen më.

Ndërtimi i një sistemi modern transplanti në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza
(QSUT) u reklamua me bujë në vitin 2005, por vrulli u shua shpejt.

Mjeku Koroshi sjell në kujdesë premtimin e bërë 20 vite më parë:“Në vitin 2005, qeveria
nisi një iniciativë dhe krijoi një komision të përbërë nga 5-6 anëtarë, i cili do të kishte për
detyrë kualifikimin e mjekëve dhe përgatitjen e terrenit dhe kushteve për realizimin e
transplantit. Në fillim, ky proces nisi me shumë vrull, por më pas ky entuziazëm u shua
në praktikë dhe përfundoi me një rezultat modest. “U mbars mali dhe polli një mi”, thotë
populli. U realizua vetëm një transplant në Spitalin Civil “Nënë Tereza”, dhe ai u krye nga
një ekip me mjekë turq. Në vitin pasardhës u krye një tjetër ndërhyrje, por iniciativa e
transplantit nuk arriti të zhvillohej siç ishte planifikuar.”

Pas 20 vitesh, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim. Transplanti i veshkave nuk ofrohet
ende në sistemin publik ndërsa, kohë pas kohe, institucionet përgjegjëse i rikthehen
premtimit të dikurshëm që vazhdon të mbetet veçse premtim.

Aktualisht transplanti i veshkës ofrohet vetëm nga spitalet private pas aplikimit të një
pakete shëndetësore në vitin 2015, që mbulon 100% të kostos së ndërhyrjes kirurgjikale
nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Ky shërbim ofrohet që prej nëntorit të vitit 2007 në Spitalin Amerikan nga ekipe me mjek
turq dhe shqiptarë, dhe prej 2007-ës e deri më tani në këtë spital janë kryer rreth 250
transplante renale.
Paketa e shërbimit të transplantit të veshkës (me dhurues të gjallë) e mbuluar nga shteti
përfshin ekzaminimet para transplantit si për marrësin edhe për dhuruesin si analizat
biokimike, imunologjike, markuesit tumoralë, dhe imazheri virologjike. Po ashtu është
miratuar dhe zbatohet edhe një protokoll i ndjekjes së pacientit pas kryerjes së
transplantin që përfshin ekzaminimet për marrësin e dhuruesin, si dhe terapinë e
induksionit dhe imunosupresoret (dozimi në gjak) vetëm për marrësin .
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përgjigjen e dhënë ndaj kërkesës për
informacion drejtuar në kuadër të përgatitjes së këtij shkrimi ka informuar se: “Në vitin
2024 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor janë financuar të
gjithë pacientët që plotësonin kriteret mjekësore, sipas protokollit mjekësor për të kryer
transplantin. Në vitin 2024 janë realizuar në spitalet e kontraktuara nga Fondi dhe
financuar 14 Paketa të Transplantit të Veshkës.”

Pra, gjatë vitit 2024 janë realizuar vetëm 14 transplante të veshkave, nga 26 të
planifikuara në fillim të vitit, duke përmbushur kështu vetëm gjysmën e objektivit, dhe
Ministria nuk ofron ndonjë sqarim për këtë fakt. Këto ndërhyrje janë kryer falas për
pacientët në spitalet private të kontraktuara nga Fondi.
Sipas ligj nr.10454, dhurimi i veshkave lejohet kryesisht nga familjarë të afërt të pacientit,
gjë që kufizon ndjeshëm bazën e dhuruesve të mundshëm. Në Shqipëri deri tani është
kryer transplanti vetëm me dhurues të gjallë, të cilët kanë lidhje familjare me pacientin siç
janë prindër, kushërinj të parë apo të dytë. Por, përveç dhuruesve me lidhje gjaku
transplanti kryhet edhe midis bashkëshortëve, dhe vjehrrit/vjehrrës.
Doktor Koroshi sqaron se“si nëEuropë, ashtu edhe në SHBA, procedura kryesore mbetet
hemodializa, sepse gjithmonë ai që do të kryejë transplantin ka nevojë për veshkë dhe
ka vështirësi për gjetjen e organit. Tek ne dhurues mund të jenë vetëm të afërmit dhe
dikush jo-familjar nuk mund t’i japë apo shesë veshkën dikujt. Shitja e veshkës është e
ndaluar edhe në Europë. Këtu vështirësohet, pasi njeriu duhet ta dhurojë veshkën me
vullnetin e plotë dhe nuk mund ta imponosh.”

Përveç vështirësisë për sigurimin e dhuruesve, mjekët thonë se ende qytetarët mendojnë
se transplanti i veshkës kushton shumë dhe ende nuk janë të informuar se mund të kryhet
falas edhe në Shqipëri.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale , Paketa e
transplantit të veshkës paguhet sipas mënyrës “Pay per Use” dhe kostoja e saj shkon në
vlerën 1,151,942 lekë (miratuar me VKM Nr.102 datë 05.02.2020). Fondi i Sigurimeve të
Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor ka detyrimin të mbulojë shpenzimet e plota, për
çdo pacient që kryen transplantin e veshkës gjatë një viti buxhetor, pasi ka plotësuar
kriteret mjekësore të përcaktuara në protokollin mjekësor.

Transplanti i veshkave nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një organi të ri, po mbi të gjitha
ka të bëjë me marrjen e një mundësie për një jetë të re, ku nga statistikat rezulton se
personi që ka kryer transplant ka 90% mundësi për të punuar një vit pas operacionit.
Transplanti i veshkës nuk është thjesht një ndërhyrje mjekësore – është një mundësi për
jetesë me dinjitet dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri. Megjithatë, ky shërbim jetik vijon të
mbetet i kufizuar, i centralizuar në sektorin privat dhe jashtë kapaciteteve të sistemit
shëndetësor publik. Për aq kohë sa premtimet institucionale nuk përkthehen në zgjidhje
konkrete, pacientët shqiptarë do të mbeten peng i listave të pritjes, pasigurisë dhe
shpesh, i vuajtjeve të panevojshme. Ndërtimi i një sistemi funksional dhe të qëndrueshëm
të transplantit të veshkave në spitalet publike është jo vetëm një domosdoshmëri
mjekësore, por edhe një provë e vërtetë e përgjegjshmërisë shtetërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *