Medikamente të skaduara dhe mungesë trajtimi për fëmijët me tumor

Spread the love

Një raport i fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka nxjerrë në pah të dhëna
tronditëse lidhur me barnat për trajtimin e sëmundjeve tumorale, duke theksuar hendekun
midis pacientëve dhe sistemit të drejtë shëndetësor.

Në raportin “Mbi disponibilitetin e barnave për trajtimin e sëmundjeve tumorale” është
evidentuar se nga institucionet e audituara, përfshirë Ministria e Shëndetësisë dhe
Mbrojtjes Sociale, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Agjencia e
Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, nuk janë
ezauruar në mënyrë të plotë veprimet e ndërmarra në kuadër të sigurimit të disponibilitetit
të barnave të përdorur në trajtimin e sëmundjeve tumorale.

Medikamente të skaduara në farmacinë e QSUT
Në raportin e KLSH, evidentohet se “19 flakonë Ifosfamide 1 g dhe 602 flakonë
Methotrexate në dy formëdoza: Solution for injection and infusion x 500 mg (në 10ml ose
20ml) me 372 flakonë dhe Solution for injection x 50 mg / 2 ml me 230 flakonë,
pavarësisht se kanë skaduar rezultojnë ende në sistemin Pentaho.”
Këto medikamente paraqesin risk për mbajtjen e stoqeve të skaduara në sistem dhe duke
rritur artificialisht gjendjen e barnave në sistem, pavarësisht përcaktimeve të neni 4 të
kontratave të furnizimit, i cili përcakton qartë se “Në rast mospërdorimi për arsye objektive
të medikamenteve, duke sjellë si pasojë afrimin e skadencës, shoqëria furnitore duhet të
marrë masa për tërheqjen e medikamenteve dhe zëvendësimin e tyre me të njëjtin
artikull, por me afat më të gjatë skadence”.

Në lidhje me medikamentet e skaduara, Drejtoresha e Shërbimit Farmaceutik, znj. M.R,
ka pretenduar se“Gjendja e barnave të skaduara është e dallueshme dhe nuk përdoret
nga operatorët e sistemit (farmacistë/kryeinfermierë) gjatë procesit të kërkesës dhe
shkarkimit. Kur farmacistët realizojnë shkarkimin e barnave për plotësimin e kërkesave
të shërbimeve klinike, ata veprojnë vetëm mbi barnat brenda afateve të skadencës, pasi
fushat e kërkimit për barnat skaduara, janë inaktive dhe të bllokuara nga sistemi, dhe nuk
mund të veprohet me këto barna. Sqarojmë se me afrimin e skadencës për një bar,
sistemi detekton afrimin e skadencës edhe në anën vizuale duke ngjyrosur fushën me
ngjyrë portokalli, dhe me plotësimin e datës së skadencës, ngjyrosja kthehet në ngjyrë të
kuqe, dhe bllokohet automatikisht çdo lloj veprimi me barin e skaduar. Kjo siguron që
barna të skaduara të mos përfshihen në procesin e shpërndarjes dhe përdorimit klinik çka
sqaron edhe njëherë faktin se pavarësisht se bari në fjalë i pasqyruar në pikën 8 rezulton
i skaduar në PENATAHO, ai nuk ndikon në rritjen artificiale të barnave”.

Gjendjet e barnave të skaduara që shfaqen në sistem nuk mund të konsiderohen vetëm
si një informacion statistikor, por tregojnë boshllëqe në menaxhimin e inventarit, fakt që
e indentifikon me shqetësim edhe raporti i KLSH. Edhe nëse barnat e skaduara nuk mund
të përdoren nga operatorët në procesin e shkarkimit, prania e tyre në stok sjell pasoja
negative, duke rritur artificialisht gjendjen dhe duke ngadalësuar qarkullimin efikas të
barnave. Kjo situatë mund të shkaktojë mungesa të barnave të nevojshme për trajtim,
duke ndikuar drejtpërdrejtë në shërbimin ndaj pacientëve. Për më tepër, në gjendjet e
skaduara të evidentuara nga grupi i auditimit paraqitet risku i mosnxjerjes jashtë
përdorimit të këtyre sasive dhe mbajtjes së tyre në inventarin fizik të barnave. Është
përgjegjësia e institucionit të monitorojë datat e skadencës përpara afatit të mbarimit të
kontratës, siç dhe parashikohet në nenin 5 të kontratës. Mungesa e monitorimit të zbatimit
të kontratës nga ana e MSHMS ka sjell për pasojë mos tërheqjen e barnave të skaduara
përpara përfundimit të afatit të kontratës.

Fëmijëve u mohohet trajtimi
Nga verifikimet e kryera nga KLSH për periudhën 2020-2024, fëmijët me sëmundje
tumorale nuk kanë marrë trajtim të barabartë. Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur 12
pacientë të moshës 2 deri në 18 vjeç që kërkon sipas protokolleve trajtim me Actinomycin
D, dhe KLSH ka konstatuar se në 6 raste nuk është ofruar trajtim në sisteminpublik, 1
është trajtuar jashtë vendit, sipas protokollit VAC, dhe 5 të tjerë janë trajtuar duke siguruar
medikamentin privatisht.

Pas datës 20 janar 2020 konstatohet se nuk ka patur gjendje të medikamentit
Actinomycin D 0.5 mg, në disa prej rasteve është përdorur ky medikament në trajtim. Ky
konstatim vjen bazuar në intervistat verbale që grupi i auditit të Kontrollit të Lërtë të Shtetit
ka zhvilluar me mjekët e Shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike, si dhe bazuar në
shënimet e bëra në kartela, epikrizat e pacientëve, ku konstatohet se medikamenti është
siguruar privatisht nga familjarët apo përmes donacioneve. Në gjykimin e grupit të
auditimit, sigurimi në këto mënyra nuk ofron siguri të plotë për mënyrën e ruajtjes së këtij
medikamenti dhe rrjedhimisht edhe të efektit të tij.
“Për periudhën objekt auditimi, bari Actinomycin D 0.5 mg është siguruar përmes
donacionit nga Sheba Medical Center, spital në Izrael, i cili ka dhuruar 24 flakonë
Actinomycin D 0.5 mg, në QSUNT. Referuar intervistave verbale me mjekët e Shërbimit
të Onkohematologjisë Pediatrike, donacioni ka ardhur në datën 24.12.2024, ndërsa
shkresa e tij mban datën 25.12.2024, protokolluar në QSUNT me shkresën nr. 3068/1
prot., datë 26.12.2024.

Rezulton se deri në përfundim të fazës së auditimit në terren, në QSUNT gjendja e barit
Actinomycin D 0.5mg duhet të rezultonte 2 flakonë, pasi 22 flakonë janë përdorur në
trajtim referuar informacionit të sjellë nga Shërbimi i Onko-Hematologjisë Pediatrike. Në
kushtet kur për marrjen në dorëzim të barit nuk është evidentuar procesverbal, ka qenë
e pamundur të verifikohet fizikisht sasia e mbetur e barit duke qenë se nuk është bërë
hyrje në inventar”, thuhet në raport.

KLSH në raport lë detyra për drejtorin e Përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare
“Nënë Tereza” që të marrë masa për zbatimin e një protokolli të unifikuar për marrjen në
dorëzim, administrimin dhe raportimin e barnave të siguruara përmes donacioneve/ në
mënyrë private, ku të përshihet informacioni për sasinë e marrë, datën, pacientin për të
cilin përdoret, dozën e administruar dhe personin përgjegjës në spitalin Onkologjik.
Gjithashtu, KLSH rekomandon se drejtori i Përgjithshëm i QSUNT duhet të marrë masa
për ngritjen e një grupi pune për verifikimin e flakonëve të mbetur gjendje të Actinomycin
D, të cilët nuk evidentohen në inventar apo në sistemin elektronik.
Nënfinancimi i sektorit të shëndetësisë dhe pasojët tek pacientët
Një nga shkaqet kryesore të këtyre problematikave të mëdha në sistemin shëndetësor
shqiptar, konkretisht Shërbimit Onkologjik, është nënfinancimi buxhetor për sektorin e
shëndetësisë.
Financimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) bëhet me transferime
nga Buxheti i Shtetit, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe
FSDKSH-së. Po ashtu, pjesë e financimit janë edhe të ardhurat dytësore, të cilat mbarten
në vitin buxhetor pasardhës, të gjeneruara nga shërbimet e ofruara, kontratat me palë të
treta apo donacione, përdorimi i të cilave bëhet tërësisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos
së shërbimit, bazuar në procedurat e miratuara nga MSHMS.

Together for Life çdo vit ngre shqetësimin për nënfinancimin e sektorit shëndetësor që
sjell si pasojë mungesë shërbimesh, shërbime pa cilësi dhe përjashtimin e grupeve
vulnerabël nga e drejta për të përfituar shërbim shëndetësor cilësor kudo dhe kurdo të
përballueshëm për çdo kategori. Edhe në raportin e shoqatës Together For Life
“Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë për vitin 2024”, si dhe në raportin
“Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 – Arritjet dhe Sfidat”
rezulton se buxheti i shëndetësisë është më i ulët nga parashikimet në Strategjinë
dhjetëvjeçare të shëndetësisë si dhe më i ulëti krahasuar me vendet e Rajonit.
Shpenzimet në sektorin e shëndetësisë për Shqipërinë në raport me shpenzimet e
përgjithshme publike janë më të ulëtat me mesatarisht 9% përgjatë periudhës 2005-2022,
sipas raporteve të mësipërme, ndërkohë që Shqipëria kryeson listën e vendeve të rajonit
me shpenzimet nga xhepi në nivelin e 51%.

Mungesa e buxhetit të nevojshëm sigurisht do të shfaqë probleme edhe në mos ofrimi në
kohë të barnave për pacientët me sëmundje onkologjike gjë që përbën një cënim të
drejtave themelore të njeriut dhe të drejtës kushtetuese për kujdes shëndetësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *