Shqipëria, regres në perceptimin e korrupsionit dhe sinjale alarmi për drejtësinë

Spread the love

Në raportin e sapopublikuar të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2025 të
Transparency International, Shqipëria vijon të renditet nën mesataren globale, duke u
vlerësuar me 39 pikë. Krahasuar me vitin 2024, vendi ka shënuar regres të dukshëm: ka
rënë me 11 vende në renditje, nga vendi i 80-të në vendin e 91-të, dhe ka humbur 3 pikë,
pasi një vit më parë ishte vlerësuar me 42 pikë.

Sipas raportit, ndër faktorët kryesorë që ndikojnë negativisht në perceptimin e korrupsionit
renditen dobësia institucionale, presioni ndaj gjyqësorit dhe mungesa e transparencës në
procedurat e prokurimit publik.

Ky përkeqësim i perceptimit shoqërohet me zhvillime shqetësuese në diskursin politik.
Ndërsa perceptimi i korrupsionit përkeqësohet, qeveria dhe veçanërisht Kryeministri Edi
Rama kanë intensifikuar retorikën dhe sulmet publike ndaj institucioneve të drejtësisë, në
veçanti ndaj SPAK dhe GJKKO. Kryeministri ka paralajmëruar ndryshime ligjore me
qëllim ndalimin e zbatimit të masave të sigurisë ndaj zv/Kryeministres Belinda Balluku,
duke argumentuar se këto masa përbëjnë ndërhyrje në funksionet kushtetuese të
institucioneve të tjera vendimmarrëse, përfshirë kompetencat e tij në emërimin dhe
funksionimin e kabinetit qeveritar.
Në deklarimet publike, Rama ka theksuar se funksionet kushtetuese të padelegueshme
nuk mund të pezullohen mbi bazën e rasteve individuale, duke iu referuar masave të
kërkuara nga SPAK dhe të miratuara nga GJKKO ndaj Ballukut, masa që përfshijnë nga
pezullimi i ushtrimit të funksioneve qeveritare, deri te kërkesa për heqjen e imunitetit
parlamentar për të mundësuar zbatimin e masave të sigurimit personal.
Pas vitesh të tëra në të cilat Kryeministri Rama është vetëpozicionuar si iniciator dhe
mbështetës i reformës në drejtësi, ashpërsimi i fundit i retorikës ndaj institucioneve të reja
të drejtësisë dhe paralajmërimet për rishikimin e reformës vlerësohen gjerësisht si presion
i
hapur ndaj organive të drejtësisë dhe si rrezik real për ecurinë e Shqipërisë drejt
integrimit në Bashkimin Europian.

Shoqëria civile, partitë e opozitës dhe ekspertë të pavarur kanë ngritur alarmin se, nëse
këto paralajmërime shndërrohen në veprime konkrete, ato do të përbënin hapa pas në
luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe cënim të pavarësisë së organeve të
drejtësisë.
Që prej vitit 2024, SPAK ka hapur një sërë çështjesh të konsideruara të nxehta, dosje me
akuza për korrupsion ndaj funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë. Ndër rastet më
të bujshme janë ajo e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, aktualisht në arrati, ish-ministrit
të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe kryetarit në detyrë i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ku
këta të fundit po përballen me akuzat në paraburgim, dhe rasti i fundit ku ‘goditja’ e SPAK
ka prekur nivelin më të lartë në hiherarkinë e pushtetit, dosja ndaj zv/kryeministres
Balluku një pjesë e të cilës u bë publike në fund të vitit 2025.
Ndryshe nga rastet e mëparshme, për të cilat Kryeministri ka deklaruar publikisht se nuk
ka ndërhyrë apo penguar veprimtarinë e organeve të drejtësisë, në rastin e
zv/kryeministres së tij është konstatuar një reagim i drejtpërdrejtë dhe frontal ndaj
institucioneve të drejtësisë, reagim në të cilin janë përfshirë edhe eksponentë të tjerë të
lartë të mazhorancës në pushtet, përmes deklaratave politike dhe paralajmërimeve për
ndryshime ligjore.

Këto zhvillime kanë sjellë reagimet e para shqetësuese nga komuniteti europian, i cili ka
theksuar rëndësinë e respektimit të pavarësisë së drejtësisë dhe mosndërhyrjes politike
si parakushte themelore për shtetin e së drejtës dhe procesin e integrimit europian. Përtej
pasojave institucionale dhe politike, ky klimë tensioni dhe presioni ndaj organeve të
drejtësisë pritet të përkeqësojë më tej perceptimin e korrupsionit, duke ndikuar negativisht
edhe në vlerësimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2026 dhe duke
rrezikuar një rënie të mëtejshme të pozicionit të Shqipërisë në renditjen globale të CPI
së.

Kur lufta kundër korrupsionit nuk mjafton: rasti i shëndetësisë
Lufta kundër korrupsionit ka sjellë rastet e para konkrete hetimore, por nuk ka arritur ende
ta frenojë fenomenin, veçanërisht në sektorë me risk të lartë si shëndetësia, e cila vijon
të mbetet një nga fushat më të prekura nga korrupsioni strukturor dhe keqmenaxhimi i
fondeve publike.
Edhe pse institucionet e reja të drejtësisë kanë intensifikuar veprimtarinë e tyre dhe kanë
nisur hetime ndaj funksionarëve të lartë publikë, korrupsioni mbetet i përhapur dhe
rezistent ndaj ndëshkimit. Kjo reflektohet qartë në sektorin e shëndetësisë, i cili në
Raportin e fundit të Progresit vlerësohet si një nga sektorët me riskun më të lartë për
korrupsion. Prokurimet publike në këtë sektor janë klasifikuar me “flamur të kuq”, duke
sinjalizuar rrezik të shtuar për praktika korruptive.
Një tregues domethënës i nivelit të përhapjes së korrupsionit dhe abuzimit me fondet
publike është fakti se tre nga katër koncesionet afatgjata të tipit Partneritet Publik-Privat
(PPP) në shëndetësi po hetohen aktualisht nga SPAK, nën dyshime serioze për
procedura jo transparente, keqpërdorim të fondeve publike dhe përfitime të padrejta për
interesa private.

Megjithatë, pavarësisht këtyre hetimeve dhe faktit që lufta kundër korrupsionit ka
prodhuar tashmë raste konkrete në nivele drejtuese, mekanizmat që kanë lejuar
korrupsionin sistemik në shëndetësi nuk janë çmontuar plotësisht. Kontratat
koncesionare problematike, mungesa e transparencës në vendimmarrje, dobësia e
kontrollit institucional dhe ndërthurja e interesave politike me ato ekonomike vazhdojnë
të krijojnë një terren të favorshëm për korrupsion.

Këto problematika janë evidentuar edhe përmes monitorimit të prokurimeve publike të
realizuar nga Together for Life mbi procedurat e zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë
dhe Mbrojtjes Sociale gjatë vitit 2024. Gjetjet tregojnë një nivel shumë të ulët të
konkurrueshmërisë, me një mesatare prej vetëm 1.37 operatorësh ekonomikë për
procedurë prokurimi. Një numër i kufizuar kompanish përfitojnë shumicën e tenderëve në
sektorin farmaceutik dhe të pajisjeve mjekësore, duke kufizuar konkurrencën dhe
përjashtuar operatorët e rinj apo të vegjël nga tregu. Po ashtu, gjatë vitit 2024, ofertat
fituese kanë qenë mesatarisht vetëm 2% nën fondin limit, krahasuar me 8.57% në vitin
2014, çka ngre dyshime serioze për paracaktim të fituesve dhe mungesë gare reale.
Ndërkohë, hetimet penale të hapura ndaj funksionarëve të lartë të Ministrisë së
Shëndetësisë, si edhe raportet e Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi dëmet e shkaktuara buxhetit
të shtetit në sektorin e shëndetësisë, kanë ekspozuar qartë nivelin e lartë të përhapjes së
korrupsionit në këtë sektor. Megjithatë, këto ndërhyrje nuk kanë arritur ende të prodhojnë
një efekt parandalues të qëndrueshëm. Si pasojë, sektori i shëndetësisë vazhdon të
perceptohet si një nga më të ekspozuarit ndaj korrupsionit, me pasoja të drejtpërdrejta
për financat publike, cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe besimin e qytetarëve në
sistem.Transparency.com.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *